Një i dyshuar është arrestuar për goditjen me thikë të një vajze 11 vjeçe dhe një gruaje 34 vjeçe në qendër të Londrës, njoftoi policia të hënën.
Sulmi ndodhi në Sheshin ‘Leicester’, një zonë shumë e frekuentuar nga turistët për shkak të dyqaneve, teatrove dhe kinemave. Sheshi dhe zona përreth frekuentohen çdo javë nga 2.5 milionë vizitorë.
Policia njoftoi se dy viktimat janë dërguar në një qendër mjekësore. Ende nuk ka të dhëna për lëndimet e tyre.
Ky akt ndodh në një kohë kur situata në Britani është e brishtë pas dhunës së javëve të fundit, kur turma njerëzish, që hidhnin parulla kundër emigrantëve dhe kundër fesë islame, u përplasën me policinë. Trazirat u nxitën nga aktivistët e së djathtës së skajshme, të cilët përdorën rrjetet sociale për të përhapur informacion keqdashës për një sulm me thikë që shkaktoi vdekjen e tre vajzave gjatë një kursi të vallëzimit me këngët e këngëtares amerikane Taylor Swift.
Nuk është ende e qartë nëse sulmi i të hënës kishte ndonjë lidhje me trazirat.
Policia qëndroi në gjendje gatishmërie për trazira të tjera gjatë fundjavës, por nuk pat ndonjë përplasje në shkallë të gjerë. Ministrat mbesin në gjendje të lartë sigurie, njoftoi zyra e Kryeministrit Keir Starmer, duke shtuar se puna e qeverisë rreth përgjigjes ndaj pasojave të dhunës së javëve të fundit nuk ka përfunduar./VOA