Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Policia aksion në Pejë, arrestohen dy të dyshuar – dyshohet se ua keqpërdorën kartelat disa personave e ua tërhoqën mjetet nga skema pensionale

Policia aksion në Pejë, arrestohen dy të dyshuar – dyshohet se ua keqpërdorën kartelat disa personave e ua tërhoqën mjetet nga skema pensionale

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion sot ku ka kontrolluar tri lokacione me dyshime për veprat penale “ Keqpërdorim të detyrës zyrtare“, “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, shkruan Reporteri.net.

Komunikata e plotë:

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot me 17.01.2025, ka zbatuar urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Renda, me ç’rast sipas urdhëresës janë kontrolluar tri (3) lokacione të ndryshme me dyshime për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare“, “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, të parapara sipas KPRK-së.

Policia e Kosovës hetimet për këtë rast i kishte filluar nga muaji korrik të vitit të kaluar me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë, me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit si dhe ka bërë grumbullimin e informatave të nevojshme, duke bashkëpunuar edhe me institucione tjera sipas kompetencës, përmes të cilave është arritur të sigurohen dëshmi të arsyeshme për veprat panele të cekura më lart.

Dy (2) persona të dyshuar në këtë rast, një femër dhe një mashkull kosovarë, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale. Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj.
Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi si në vijim:

• gjashtë (6) kartela bankare në emër të personave të tjerë

• një (1) telefon

• dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore

Gjithashtu janë gjetur dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin e rastit është iniciuar rast i veçantë.
Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.