Paul Pogba ka qenë i pranishëm në tribuna të stadiumit për ta përkrahur nga afër Kombëtaren e Francës ndaj Belgjikës.
Francezi është futur në dhomat e zhveshjes për t’i takuar ish-bashkëlojtarët e tij te Franca, derisa ka dhënë edhe një intervistë, ku theksoi se është i dënuar në mënyrë të padrejtë sa i takon çështjes së tij me dopingun.
Ndër të tjera, mesfushori shtoi se do të luftojë për të marrë atë që i takon ndërsa nuk harroi faktin se ai e konsideron veten ende një lojtar të Juventus.
“Dua të luftoj me këtë padrejtësi që më është shkaktuar. Së fundmi, është publikuar edhe një intervistë e pavërtetë ku thuhet se Pogba është i mbaruar”.
“Por, unë ju them që Pogba është këtu dhe nuk është i mbaruar, ndaj mos u shqetësoni. Kam dëshirën e madhe për t’u rikthyer, jam ende një lojtar i Juventus”.
“Kam një kontratë, por që ende nuk kam pasur mundësinë për të biseduar me drejtuesit e klubit. Ka një heshtje në këtë moment, ndoshta edhe ata po presin për rezultatin e apelit. Por, nëse jeni mjaftueshëm kuriozë, atëherë mund t’i pyesni”, u shpreh Pogba.