Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Poezi: Gurbeti

Poezi: Gurbeti

Gurbeti

po e la pas kujtimin për shkollën
po e la edhe shoqërinë
po i la ditët më të mira
po e la këtu fëmijërinë

në shkollë fillore nxënës i dalluar
shumë mirënjohje e dhurata
po i le brenda në dollap
m’i ruaj me dashuri nënë e ngrata

më fal babë që shumë u mundove
çdo gjë jape për t’më arsimuar
që të bëhem njeri i dijes
e jo në gurbet për të shkuar

më falni shokë që po ju la
fakultetin e përfundova
për një të ardhme më të mirë
një rrugë të re sapo fillova

vëllanë që me të u rrita
gjithmonë bashkë e të pandarë
kur e mora e përqafova
zemra filloi duke qarë

asnjë fjalë nga goja s’më doli
rrugën për gurbet kur e mora
kur përpara meje pash nënën
m’u dridh buza e m’u dridh dora

dyert e shtëpisë kur u mbyllën
pashë në një cep babai shikonte
“rrugë të mbarë biri im”
me lot në sy më uronte

kur mbërrita në gurbet
menjëherë mora një mësim
dy prind gjallë në Kosovë i lashë
e në gurbet jam jetim

sa herë në ëndërr shoh familjen
nisem vrap në përqafim
kur vjen mëngjesi sytë i hap
ndiej në vete një pikëllim

kjo është jeta ime në gurbet
lashë pas diplomën për Avokat
mes heshtjes e mendimeve të thella
me shpres qe nje dite do te kthehem prap

Femzi Aliu
5 mars 2022