Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Po na shtrenjtojnë gjithçka, e na veç po shikojmë

Po na shtrenjtojnë gjithçka, e na veç po shikojmë

SHKRUAN: R.T

Qytetarët e Kosovës sot janë të lodhur.

Jo vetëm nga puna, jo vetëm nga hallet e përditshme, por nga një realitet që po ua shtrydh xhepin çdo ditë e më shumë. Rryma është shtrenjtuar deri në atë pikë sa sot nuk është më domosdoshmëri, por luks.

Produktet ushqimore janë rritur në çmime, paga kanë mbetur të ulëta, ndërsa jeta po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme.

Dikur, kur prekej buka, njerëzit dilnin në rrugë. Sot, buka shtrenjtohet, rryma shtrenjtohet, uji, transporti, gjithçka — por rrugët mbesin bosh. Qytetarët ankohen, por vetëm në rrjete sociale. Facebook-u është shndërruar në shesh proteste, komentet në pankarta, ndërsa “like”-u në revoltë të rreme. Shfryhen aty dhe mendojnë se e kryen obligimin qytetar.

Rryma sot është bërë luks. Familje të tëra mendojnë dy herë para se ta ndezin ngrohjen, bojlerin apo sobën. Fatura mujore është kthyer në frikë. Një shtet ku energjia elektrike është e papërballueshme për qytetarin e zakonshëm, është shtet që po e humb lidhjen me realitetin e popullit të vet.

Pagat nuk rriten, por çmimet po. Punëtori punon gjithë muajin për të mbijetuar, jo për të jetuar. Pensionisti numëron centët, ndërsa studentët e rinjtë shohin ikjen si zgjidhjen e vetme.

E megjithatë, protestë nuk ka. Heshtje ka. Një heshtje e rëndë, e rrezikshme, që i jep pushtetit mesazhin se gjithçka po shkon mirë.

Ky është paradoksi i shoqërisë sonë: popull që ankohet shumë, por reagon pak. Popull që zemërohet në tastierë, por jo në shesh.

Frika, lodhja, zhgënjimi apo indiferenca e kanë mpirë reagimin qytetar. Dhe kur një popull pushon së reaguari, atëherë çdo shtrenjtim bëhet i lehtë për t’u imponuar.