Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, ka komentuar për Televizionin Arbëria rezultatet e raportit të progresit evropian dhe gjendjen e arsimit në Kosovë, duke theksuar se arsyeja pse nxënësit kosovarë po dështojnë në testime ndërkombëtare si PISA lidhet drejtpërdrejt me mungesën e kushteve, me qasjen dhe me kurikulën e sistemit arsimor në vend.
“Arsyeja pse nxënësit tanë qalojnë dhe nuk kanë njohuri dhe shkathësi të duhura, siç edhe ceket në raport, mendoj që janë të shumta, por kryesisht lidhet me kushtet të cilat punohet, me qasjen, kurikulen, dhe në përgjithësi me nivelin e arsimit në Kosovë. Andaj edhe sipas të gjitha pjesëmarrjeve të Kosovës në testin PISA kemi rezultate më të vërtetë më të kqija se katastrofale”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka shtuar se “gjithmonë jemi renditur në vendet e fundit dhe kjo asnjëherë nuk ka shërbyer si alarm për qeveritë dhe është koha që të ndërmerret diçka serioze, është koha të punohet sinqerisht dhe të ngritet vetëdija që t’i ipet rëndësia arsimit”.
Sipas tij, mënyra se si po trajtohet arsimi në Kosovë po ua mohon të rinjve mundësinë për të ardhme të mirë.
“Ne me këtë gjymtim që ua bëjmë të rinjve, faktikisht i lëmë ata në mëshirën e jetës dhe janë pakonkurrencë me të rinjtë e shteteve tjera. Për shkak se niveli i arsimit të tyre është shumë shumë më i dobët. Mendoj se jemi duke ndikuar dhe duke ua pamundësuar të rinjve tanë më të ndritshme dhe kjo duhet natyrisht të ndërroj me çdo kusht”, ka theksuar ai.
Osmani ka komentuar edhe arsyet që lidhen me cilësinë e dobët të arsimit, duke thënë se “arsyet kryesisht lidhen me gjendjen në arsim, por ato kanë të bëjnë me mungesën dhe zbrastirat që nxënësit kanë në sistemin e edukimit. Duhet ta kuptojmë që këta nxënës faktikisht nuk arrijnë të përvetësojnë shkathtësitë dhe dijeninë e duhura për moshën e tyre, prandaj edhe në testime, në krahasine që iu bëhen bashkë me moshtarët e vendeve tjera, këta dalim shumë më keq. Kjo do të jetë faktikisht edhe çmimi që ata do ta paguajnë që kanë qenë pjesë e një sistemi të dështuar të arsimit të Kosovës dhe do t’i vuajnë pasojat për gjithë jetën”.
Sa i përket uljes së investimeve në arsim, Osmani ka qenë i drejtpërdrejtë.
“Sa i përket rënies së investimeve në arsimimin bazik që ceket në raport kemi të bëjmë me një rënie të cilësisë së mëtutjshme dhe në vend që qeveria të mendonte seriozisht të tubonte rreth vetes ekspertë që e kuptojnë sistemin e arsimit dhe janë të gatshëm të kontribuojnë, ata merren me gjëra të kota dhe marrin vendime plotësisht të gabuara, në këtë rast edhe duke e zvogëluar buxhetin. Në vend se të shkohet në drejtim të rritjes së buxhetit për të përmirësuar kushtet, qeveria merr vendim për të ulur këtë buxhet dhe për të përkeqësuar edhe më tutje gjendjen”, ka përfunduar Osmani për Arbëria TV.