Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Plani i ri amerikano-rus: A po arrihet paqja në Ukrainë

Plani i ri amerikano-rus: A po arrihet paqja në Ukrainë

Një draft–propozim i ri, i hartuar nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, po hap debat të madh ndërkombëtar. Sipas raportimeve të The Financial Times, Reuters dhe The Guardian, plani synon t’i japë fund luftës në Ukrainë – por me çmim të lartë për Kievin.

Sipas këtyre burimeve, propozimi kërkon që Ukraina të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj në lindje, të reduktojë ndjeshëm forcën e ushtrisë dhe të pranojë kufizime të ashpra në ndihmën ushtarake amerikane, veçanërisht për armët me rreze të gjatë.

Gjithashtu, drafti parashikon që asnjë forcë e huaj të mos vendoset në territorin ukrainas – një pikë që përkon drejtpërdrejt me kërkesat e Kremlinit. The Guardian raporton se drafti është zhvilluar nga dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe këshilltari rus Kirill Dmitriev – një kanal i heshtur komunikimi mes Uashingtonit dhe Moskës.

Një burim i Radios Evropa e Lirë konfirmoi se Uashingtoni i ka dërguar sinjale Kievit, duke insistuar që presidenti Volodymyr Zelensky të konsiderojë “dorëzimin e territoreve, zvogëlimin e ushtrisë dhe pika të tjera të favorshme për Putinin”.

Edhe pse zyrtarët ukrainas nuk kanë dhënë ende deklarata publike për planin, Zelensky – aktualisht në Turqi – e ka përshëndetur “rolin udhëheqës” të Donald Trump dhe çdo propozim të drejtë për paqe. Ai theksoi se vetëm SHBA-ja ka fuqinë për t’i dhënë fund luftës.

Ndërkohë, realiteti në fushëbetejë po bëhet gjithnjë e më i rëndë.

Shtetet e Bashkuara ndërkohë po vijojnë përpjekjet diplomatike. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një paqe e qëndrueshme kërkon “kompromise të vështira nga të dyja palët”, ndërsa në Kiev ka mbërritur një delegacion i lartë i Pentagonit për të diskutuar hapat e mëtejshëm.

Megjithatë, Ukraina ka treguar se dorëzimi i armëve, përfshirë ato bërthamore nën Marrëveshjen e Budapestit të vitit 1994, nuk e ka bërë vendin më të sigurt. Përkundrazi, siç vlerëson analisti politik Afrim Kasolli, kjo përvojë tregon se “dorëzimi i sovranitetit ushtarak nuk garanton paqen, por mund të krijojë një boshllëk të rrezikshëm që fuqitë e tjera përpiqen ta mbushin”.

Zelensky ndodhet në një pozitë të vështirë – me presion të dyfishtë nga fronti ushtarak dhe nga negociatat diplomatike. Por teksa Uashingtoni dhe Moska testojnë terrenin për një marrëveshje, Rusia ende nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga kërkesat e saj maksimale.

Ndërsa lufta po i afrohet vitit të katërt, pyetja mbetet: a po i afrohemi paqes apo një kapitulli të ri të konfliktit?/TVArbëria