Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për rregulloren e Bankës Qendrore, e cila përjashton dinarin si valutë për kryerjen e operacioneve me para të gatshme dhe lejon vetëm euron.
Ministri gjerman tha se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ligjshmërinë e saj, mirëpo për dinarin ai thotë se nevojitet të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme.
“Jemi të vetëdijshëm që Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjshmërinë e saj, por në deeskalim bën pjesë edhe masat legjitime për sa i përket vendosjes së Euros si valutë e vetme, mirëpo nevojitet që kjo të komunikohet në mënyrë më të përshtatshme, ashtu që askush mos të ketë frikë dhe mos ketë mosinformim”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë se Gjermani ka qëndruar afër Kosovës në periudha të rënda por edhe në procesin e shtetformimit.
“Gjermania ka qëndruar pranë nesh jo vetëm gjatë periudhave të rënda për popullin e Kosovës, por edhe në procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit e vazhdon të jetë aleat i ynë i fortë, përderisa vazhdojmë ta forcojmë demokracinë tonë dhe pozitën tonë ndërkombëtare”, u shpreh presidentja Osmani.
“Bashkë ministrin diskutuam çështje të interesit të ndërsjellë, me theks të veçantë se si shtetet tona mund të avancojnë edhe më shumë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Bashkëpunimi ynë ushtarak është dinamik dhe në zhvillim të vazhdueshëm, duke përfshirë kontributin e çmuar dhe përkushtimin e Gjermanisë në mbështetjen e FSK-së”, u shpreh ajo. /TV Arbëria