Një vepër e veçantë e piktorit dhe profesorit Haki Xhakli, e realizuar në vitin 1982 dhe e frymëzuar nga misioni humanitar i Nënë Terezës, është prezantuar sot në Prishtinë.
Piktura u ekspozua në kuadër të ekspozitës “Fryma e Dashurisë – Në nderim të Nënë Terezës”, e organizuar në Sheshin “Nënë Tereza” nga Shoqata “Artist për Artistë” dhe Organizata Shqiptaria.
Sipas organizatorëve, vepra është frymëzuar nga angazhimi humanitar i Nënë Terezës në Bejrut gjatë luftës së vitit 1982, ku ajo u angazhua për shpëtimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga një institucion i goditur nga bombardimet.
Organizata Shqiptaria thekson se është veçanërisht domethënëse që vepra është realizuar qysh në vitin 1982 dhe se, 44 vjet më vonë, ajo është rikthyer në vëmendje në një ekspozitë kushtuar figurës së Nënë Terezës.
“Një dëshmi e bukur se arti e ruan kujtesën dhe se mesazhi i Nënë Terezës për dashurinë, humanizmin dhe paqen vazhdon të jetë po aq i fuqishëm”, thuhet në shkrimin e Organizatës Shqiptaria.