Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pikëpyetjet e hapjes së Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë?

Pikëpyetjet e hapjes së Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë?

Para pak dite presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka shkruar se ka dekretuar hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan.

“Pas dy vitesh pune intensive me Selinë e Shenjtë, kam dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë. Ky është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe raportet tona me Selinë e Shenjtë, të cilat do të vazhdojmë t’i thellojmë”, ka njoftuar ajo në Facebook.

Hapja e misioneve të kësaj natyre është e rregulluar me Konventën për misionet e posaçme të vitit 1969 të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Fillimisht këtu duhet cekur se misione të tilla nuk janë diplomatike. Kurse në bazë të nenit 3 të këtij dokumenti një shtet mund të dërgojë një mision të posaçëm me pajtimin e shtetit pritës. Kurse në bazë të nenit 7-të të kësaj konvente ekzistenca e këtyre raporteve diplomatike dhe konsullore nuk është e domosdoshme për pranimin dhe dërgimin e misioneve speciale. Por që as nuk do të thotë që e dyta domosdoshmërisht mund të ndikojë në të parën.

Siç dihet Vatikani nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës. Prandaj, kjo ka qenë arsyeja që deri më tani nuk ka qenë e mundur që raportet ndërmjet dy vendeve të ngriten në nivel diplomatik.

Arbëria TV ka parashtruar pyetje në institucionin e Presidencës se ka marrë pajtim shteti i Kosovës për hapjen e një misioni të tillë? Apo e tëra ka qenë vetëm një spektakël për nevoja të brendshme politike, pasi prej se kanë ardhur në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe partneri i saj me i vogël Lista Guxo, nuk kanë arritur ta sigurojnë asnjë njohje për shtetin e Kosovës.

Zëdhënësi i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina në një përgjigje me shkrim ka deklaruar “se natyrisht që po. Nuk kish pas mundësi me bo publike diçka që nuk ka marrëveshje reciproke”.

/TV Arbëria