Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.
Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
“Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.
Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.