Drejtori i Programit për Paqe në Universitetin e Kolumbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, David L. Phillips, është shprehur se Serbia në rajon po vepron si “proxy” i Rusisë.
Philips për Al Jazeera ka theksuar se Kosova është model për zbatimin e të drejtave të pakicave të cilat janë të garantuara në Kushtetutë.
“Kosova është model i të drejtave të pakicave përmes Kushtetutës së saj duke miratuar parimet e Marti Ahtisaarit, gjatë negociatave. Ajo që po ndodh këtu është se Serbia po kërkon të provokojë një konfrontim dhe nuk po vepron vetë”, thekson Philips.
Sipas tij, Kosova është aleate e Perëndimit dhe se Rusia dëshiron të zhbëjë këtë.
“Serbia po vepron si ‘proxy’ i Rusisë duke përfshirë NATO-n në konflikt, ajo po përpiqet ta zgjerojë atë. Ne duhet ta kuptojmë këtë në terma më të gjerë gjeopolitikë. Kosova është aleate e Perëndimit. Rusia dëshiron ta zhbëjë këtë dhe të krijojë një front të ri në konfrontimin e saj me NATO-n dhe Mitrovicën si një vend i përshtatshëm për përshkallëzimin e tensioneve”, shton ai.
Analisti amerikan thotë se Serbia duhet të pranojë faktin se e ka humbur Kosovën.
“Kosova është sovrane dhe e pavarur, është njohur nga më shumë se 100 shtete, Serbia duhet të pranojë faktin se e ka humbur Kosovën, për shkak të krimeve të saj dhe nuk do të kthehet kurrë nën kontrollin e Serbisë”, përfundon ai.
Ndërsa, për drejtorin e Institutit për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare, Darko Trifunoviq gjendja aktuale në vendin tonë është si pasojë e mungesës së negociatorëve të Bashkimit Evropian për të përafruar Kosovën dhe Serbinë.
“Në thelb është Marrëveshja e Brukselit dhe refuzimi për ta zbatuar atë, kështu që quhet Asociacion i Komunave Serbe, ky është thelbi i problemit dhe shpresoj se do të kemi më shumë diplomaci në të ardhmen dhe ju mund ta shihni tani që është pasojë e mungesës së komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht negociatorëve të Bashkimit Evropian për të sjellë dy vende në një tryezë”, është shprehur ish-zyrtari i inteligjencës serbe.
Më 10 dhjetor serbët lokal në veri të vendit ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnajk. Për shkak të situatës së tensionuar, Policia e Kosovës ka rritur praninë në këtë zonë.
Vendosja e barrikadave nga serbët lokalë erdhi si përgjigje e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq nga autoritetet e rendit në Kosovë. Pantiqit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, pasi që dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Komuniteti ndërkombëtar bëri po ashtu thirrje për largimin e barrikadave. Ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se arrestimi i Pantiqit “po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve”./Al Jazeera