Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Petrit Halilaj, artisti nga Kosova me instalacion gjigant në Metropolitan Museum of Art New York

Petrit Halilaj, artisti nga Kosova me instalacion gjigant në Metropolitan Museum of Art New York

Artisti nga Kosova, Petrit Halilaj është talenti më i ri që ngarkohet për të krijuar një vepër specifike që do të përshtatet me taracën e Metropolitan Museum of Art, në Nju-Jork. Ky do të jetë projekti i parë madhor i Halilajt, në Shtetet e Bashkuara, i cili pritet të transformojë “The Met Roof” me një instalacion gjigant skulpturash.

“Puna e Halilajt është thellësisht e lidhur me historinë e re të vendit të tij të lindjes, Kosovës dhe pasojat e tensioneve kulturore dhe politike në rajon”, shkruan The Metropolitan Museum of Art (MET).

Pas një periudhe formimi në Itali, ku studioi art në Accademia di Brera, në Milano, Halilaj u transferua në Berlin, në vitin 2008, ku jeton dhe punon ende. Projektet e tij përfshijnë një shumëllojshmëri mediesh, duke përfshirë skulpturën, vizatimin, poezinë dhe performancën.

Ekspozita mbështetet nga organizata bamirëse Bloomberg Philanthropies.

Petrit Halilaj bëri bujë me koleksionin e tij, “Abetare” që në thelb i referohet mënyrës se si mësohen ABC-të e një gjuhe. Tavolinat që ai përdori në ekspozitën e tij përfaqësonin 30 vjet shtresa vizatimesh. Halilaj i mori këto vizatime, i zmadhoi dhe i bëri skulptura 3-D. Përmes shkarravinave të gjetura mbi banka, artisti shpjegoi se si kishte ndikuar lufta tek fëmijët e shkollës e në të njëjtën kohë si u ndikuan ata nga bota e internetit./atsh