Drejtori i zyrës për propagandë kundër Kosovës, të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka lëshuar një deklaratë në të cilën ka pretenduar se “tirani dhe autokrati Albin Kurti nuk mund dhe nuk do ta kuptojë kurrë se çfarë do të thotë përgjegjësia dhe vlerat demokratike që tregoi Millosh Vuçeviqi me vendimin e tij”.
Në këtë mënyrë Petkoviq ka reaguar ndaj deklaratës së Albin Kurtit se me të në krye të Qeverisë së Kosovës, kryeministrat në Serbi po japin dorëheqje.
Petkoviq ka thënë se e kupton shumë mirë pse Kurti i mbështet protestat e opozitës në Beograd dhe pse pengesa më e madhe e tij është Vuçiqi, bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, si dhe Listën Serbe, të cilës, sipas fjalëve të tij, “kot u përpoq të ndalonte pjesëmarrjen në zgjedhje”, transmeton Paparaci.
“Sulmet e Kurtit ndaj Millosh Vuçeviqit dhe Serbisë tregojnë se kush është armiku i tij kryesor. Kurti i mbështet protestat sepse kot shpreson se dhuna dhe rruga mund të çojnë në ndryshimin e pushtetit në Beograd, e për rrjedhojë edhe në njohjen e “të ashtuquajturës” Kosovë. Megjithatë, kemi një lajm të keq për Kurtin – përderisa presidenti ynë Aleksandar Vuçiq është në krye të Serbisë, Beogradi zyrtar nuk do ta njohë kurrë “të ashtuquajturën” Kosovë të pavarur dhe Kurti vetëm mund të ëndërrojë këtë, ashtu siç ëndërron të ashtuquajturën “Shqipëri të Madhe”, flamujt e së cilës i valëvit me aq pasion në tubimet e tij, por ja se këtu përfundon gjithçka”, pretendohet në kumtesën e Petkoviqit, i cili, krahas me Bërnabiqin është kampion në servilizimin ndaj liderit të tij suprem.
Ai këtë propagandë patetike e ka përfunduar me atë “se e ka të qartë” pse Kurti nuk sulmon Dragan Gjillasin, Marinika Tepiqin, Millosh Jovanoviqin apo Borko Stefanoviqin dhe pse i mbështet protestat, ndërsa në të njëjtën kohë “qëllon, arreston, rrahë dhe dëbon serbët nga Kosova”.