Pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Bujanoc, drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka reaguar, duke thënë se asnjëherë nuk është dëgjuar nga Bislimi ndonjë dënim të “kërcënimeve ndaj serbëve”.
Ai me këtë propagandë të tij të radhës, ka tentuar të barazojë mbishkrimet “Vdekje shqiptarëve, nuk ju duam në Serbi, Kosova është Serbi”, me mbishkrimet “UÇK” të cilën ai e quan “terroriste”.
Petkoviq në rrjetin social “X” ka theksuar se çdo gjuhë urrejtjeje është e dënueshme dhe e papranueshme, por që kjo padyshim nuk vlen për Bislimin.
“Kjo padyshim që nuk vlen për Bislimin, i cili asnjëherë nuk ka dënuar asnjë kërcënim ndaj serbëve, as ndaj mbishkrimeve të “UÇK-së terroriste” në këndet e lojërave, spitalet, shkollat, shtëpitë, kishat serbe? Për Bislimin, fyerjet dhe sulmet ndaj serbëve nuk janë fyerje dhe sulm!?”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai në këtë postim i ka paraqitur disa fotografi ku shihen mbishkrimet “UÇK”, për të cilat ai pretendon sa janë shkruar në muret e shtëpive të serbëve të Kosovës.
Të përkujtojmë, Bislimi ka reaguar ndaj mesazhit të urrejtjes që është paraqitur në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, duke përsëritur se është pjesë e represionit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Një mesazh tjetër urrejtjeje është paraqitur sot në hyrje të repartit të fëmijëve në Bujanoc. Ky nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë të kërcënimeve dhe represioneve ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e tij në rrjetin social “X”.