Në një letër urimi drejtuar Kryepeshkopit të ri të kishës Ortodokse Shqiptare, Joan Pelushit, peshkopi i Kosovës, Nikolla Xhufka, shprehu gëzimin dhe krenarinë shpirtërore për zgjedhjen e tij si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, At Nikolla theksoi se Kisha Ortodokse Autoqefale e Kosovës lutet që Kryepeshkopi Joan të ndjekë gjurmët e Krishtit dhe të udhëhiqet nga figura të shenjta të Kishës Ortodokse si Imzot Theofan Noli, Imzot Visarjon Xhuvani dhe Imzot Kristofor Kisi.
“Fortlumturi Joan! I denjë! I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit,” shkruan peshkopi i Kosovës, Nikolla Xhufka, duke e përgëzuar Kryepeshkopin Joan për detyrën e lartë që ka marrë mbi supe.
Letra përfundon me një mesazh dashurie vëllazërore, duke shprehur mbështetje dhe urime të sinqerta për udhëheqjen e tij të mbarë në këtë mision të shenjtë. /TV Arbëria