Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Pesha e një dashurie “vrastare”

Pesha e një dashurie “vrastare”

Shkruan: Afrim Kasolli

Shpeshherë me ka trazuar dhe më ka gudilisur jeta dhe pasioni i shumë prej heronjëve të mendimit në historinë e filozofisë. Nga u kish pulsuar ajo forcë që i kishte rrëmbyer për gjithë jetën? Madje, shumë nga ta edhe pse në çaste dëshpërimi ishin përpjekur të largoheshin prej kësaj disipline, në fakt ishin zhytur dhe kredhur edhe me shumë në vështrimin e mistereve të qenies me sytë e mendjes.

Ishin jo të pakta rastet që disa nga ta e paguan me një çmim të madh jetësor përkushtimin për këtë dashuri fatale, që ndryshe quhet si dashuri për urtësinë(φιλοσοφία). Madje, ekstimet mendore të se cilës ishin edhe me joshëse se sa çdo dashuri sensuale. Disa prej tyre bënë jetën e murgut. Morën pamjen trishtuse të martirizimit. Dhe flijuan shumë kënaqësi të kësaj bote për hir të kësaj mbretërie të mendimit. Përjetuan poshtërimin, njohën vuajtjet dhe përuljen vetëm për shkak të “dalldive” të mendjes dhe çasteve të shkurtra sublime që i shijuan kur mendja e tyre në disa netë me të errëta se zakonisht pushtohej nga xanxa të veçanta rrëzëllitëse. Dhe për ta këto vuajtje nuk qenë asgjë përballë këtyre shkreptimave teorike.

Ky mallkimi i ka shoqëruar heronjtë e filozofisë qe në gjenezë të saj. Rënia e Talesit në një gropë, deri sa ishte duke i vëzhguar yjet dhe qiellin, si dhe tallja që pasoi nga një qytetare e Miletit me të urtin e pare te këtij civilizimi, thuajse tregoi hapur për të ardhmen zymtore që i pret ata që ia dedikojne jetën kësaj veprimtarie. Fati tragjik i Sokratit po ashtu është një rast tjetër që dëshmon se martirizimi dhe filozofimi shpeshherë mund të jenë sinonime. Dafinat e këtij tempulli qenë të mbushura me gjemba helmues. Në panteonin e saj titanët e kësaj sfere gjetën privimet e jetës dhe parajsën e mendjes. Dualitet ky që mund të kuptohet vetëm nga ata që e kanë jetuar këtë jetë.

Prandaj, me të drejtë shpeshëhere është shtruar pyetja se a kishte kuptim ky pasion? Por personalisht, duke e lexuar disa nga jetëshkrimet e tyre në librin “Historia e Filozofisë” së Hegelit, gjykoj se shumë nga këta martirë të mendimit ishin të “detyruar’ të jetonin nën vargonjtë e kësaj dashurie të “pakuptimtë”. Madje, edhe sikur jeta e tyre të rikthehej edhe një herë në fillim, nuk besoj se do kishin ndjekur rrugë tjetër. Sepse ishin të “denuar” të vepronin në mes zhgenjimit dhe vetmisë së kësaj bote për të plotësuar pasionet e këtij gjakimi teorik.

Fakti se patën mundësi për t’u tretur në koralet e “përjetshme” të mendimit i mbushellonte me një satifsfaksion të veçantë. Në këtë perhumbje ata harruan çdo gjë që lidhej me jetën e tyre konkrete. Të filozofia gjetën forcën e jashtëzakonshme të shërimit. Një “terapi” kjo e mahnitshme. Në thesaret e saj e përjetuan kuptimin e jetës. Sepse duke u kredhur në këtë hapësirë eternale, ata desensulizoheshin dhe çtrupezoheshin, ashtu sic është edhe vet natyra e mendimit që si një fantazmë i ka ndjekur pas vazhdimisht. Dhe i ka mbajtur të burgosur në vetminë e tij, me qëllim që ne t’i përfitojmë disa nga kurorat të lavdishme të njohjes dhe procesin historik të vetëvetëdijes njerëzore që u krijua gjatë historisë.

Powered by WordPress