Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Përvojat e të dëbuarve nga lufta e Kosovës shfaqen nesër në Prishtinë

Përvojat e të dëbuarve nga lufta e Kosovës shfaqen nesër në Prishtinë

Hulumtimi “Kujtesa përballë Harresës”, që trajton përvojat e të dëbuarve nga Kosova në vitin 1999, si dhe hapja e instalacionit “Korridori i Hekurt”, do të mbahen më 20 dhjetor, në orën 12:00, në Reporting House.

Të shtunën, më 20 dhjetor, Shemsi Krasniqi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, do t’i prezantojë rezultatet e hulumtimit të tij dhe të studentëve të Departamentit të Sociologjisë, të cilët kanë intervistuar mbi 300 ish-refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë eksodit të vitit 1999.

Krasniqi ka intervistuar ish-refugjatë që nga viti 2009, ndërsa të gjeturat e këtyre anketave, të zhvilluara vazhdimisht për 15 vjet, do të jenë pjesë e një botimi të planifikuar. Hulumtimi është i ndarë në disa pjesë: dëbimi, qëndrimi si refugjatë në Maqedoni, Shqipëri apo gjetiu, si dhe kthimi në Kosovë.

Pas diskutimit, pjesëmarrësit ftohen në Galerinë e Reporting House për të parë instalacionin e ri “Korridori i Hekurt”, të kuruar nga Gazmend Ejupi.