Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Përvjetori i lindjes së politikanit Mahmut Bakalli

Përvjetori i lindjes së politikanit Mahmut Bakalli

Mahmut Bakalli ka lindur në Gjakovë më 19 janar 1936. Shkollimin e mesëm e kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin e Shkencave Politike, e kreu në Beograd.

Për rreth 10 vjet, Mahmut Bakalli, ishte kryetar i Komitetit Krahinor të LKJ-së, kur në vitin 1981 pas demostratave studentore në Prishtinë u detyrua të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake.

Pas luftës Mahmut Bakalli u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, në legjislaturën 2OO1-2OO4.

Ndërkaq pas zgjedhjeve të dyta parlamentare në Qeverinë e koalicionit LDK-AAK, Bakalli ishte këshilltar politik i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit Agim Çeku.

Punoi si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ishte Kryetar i Komitetit komunal të LK të Prishtinës, pastaj edhe kryetar i Komitetit krahinor të Lidhjes së komunistëve të KSAK-së si dhe anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë nga viti 1971 deri më 1981.

Pas shpërthimit të demonstratave studentore-gjithëpopullore në tërë Kosovën, gjatë vitit 1981, si dhe mospajtimeve me qëndrimet e Kryesisë së KQ të LKJ-së, jep dorëheqje nga funksionet politike-partiake dhe me këtë veprim, distancohet nga programet dhe aktivitetet për implementimin e strategjisë së LKJ-së, serbo-komuniste, për Kosovën.

Mirëpo, gjatë viteve vijuese, përpos punës së pedagogut në UP, ishte pjesëmarrës si politikolog dhe intelektual, në jetën dhe zhvillimet politike-publike brenda dhe jashtë Kosovës, si strateg dhe mbështetës i zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe, në veçanti, të Kosovës në Ballkan. Ndërroi jetë më 14 prill 2006.

/TV Arbëria

Powered by WordPress