Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Përurohet shtatorja e Lekë Dukagjinit në Prizren: Monsinjor Lleshaj: “Drejtësi dhe dashuri”, Mulla Daka: “Bashkim dhe nderim”

Përurohet shtatorja e Lekë Dukagjinit në Prizren: Monsinjor Lleshaj: “Drejtësi dhe dashuri”, Mulla Daka: “Bashkim dhe nderim”

Ceremonia e përurimit të shtatores së Lekë Dukagjinit në Prizren u shndërrua në një ngjarje të rrallë bashkimi shpirtëror e kombëtar, ku përfaqësues nga Kisha Katolike dhe Bashkësia Islame përcollën të njëjtin mesazh: nderimi i figurave të mëdha historike është rruga që forcon kombin dhe ruan identitetin e tij.

Në fjalimin e tij, Monsinjor Rrok Gjon Lleshaj, prelat shqiptar nga Mali i Zi, theksoi përjetësinë e veprës së Lekë Dukagjinit dhe ndikimin e tij në frymën e drejtësisë shqiptare. Ai tha se Lekë Dukagjini nuk ishte vetëm bashkëkohës i Skënderbeut, por edhe simbol i një drejtësie që bashkonte shqiptarët në mungesë të shtetit

“Kjo ngjarje sot dëshmon se njeriu nuk vdes, por jeton në amshim, e veçantë jetojnë ata që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në histori, ashtu sikur edhe Princ Lekë Dukagjini, i cili jetoi në të njëjtën kohë me Skënderbeun dhe që ishin miq shumë të afërt dhe bashkëpunëtor. Ai jetoi përmes kanunit, të drejtën që shqiptarët me shekuj është dashtë ta mbajnë si shtet në vete, si shtet paralel. Ai mbolli në shpirtin e shqiptarëve bujarinë, mikpritjen, mirësinë dhe dashurinë – vlera që i kanë mbajtur të bashkuar ndër shekuj”.

Monsinjor Lleshaj u lut që shtatorja e Lekë Dukagjinit të shërbejë si frymëzim për drejtësinë e shtetit dhe për dashurinë mes njerëzve:

“Uroj që kjo shtatore të jetë frymëzim për shtetin e Kosovës, për Shqipërinë dhe për të gjitha trojet shqiptare që të funksionojë drejtësia, mirësia dhe dashuria. Aty ku ka drejtësi, ka edhe Zot”.

Në të njëjtën frymë, por me tone që vinin nga tradita islame, foli edhe Mulla Nebi Daka, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe nderimit të figurave historike si rrugë drejt forcimit të kombit.

“Sot është ditë me diell t’i nderojmë heronjtë tanë, t’i nderojmë ata që kanë rënë për këtë vend. Çdo ditë e më shumë populli shqiptar po bashkohet, po afrohet, po forcohet në rrugën e atyre që kanë dhënë më të shtrenjtën. Neve na kanë mësuar të parët që rrugën të mos e humbim kurrë, por të ecim përpara. Kombi shqiptar më shumë forcohet kur i nderon heronjtë e vet, kur nderon edhe Lekë Dukagjinin përherë. Pra, duhet të jemi gjithmonë të bashkuar, të afruar me njëri-tjetrin”.

Të dy klerikët, përmes gjuhës së besimit të tyre, përcollën të njëjtin thelb – unitetin kombëtar përtej përkatësive fetare.

Në fjalët e Monsinjor Lleshajt u theksua trashëgimia morale dhe drejtësia, ndërsa në mesazhin e Mulla Dakajt u theksua bashkimi dhe përkushtimi ndaj rrënjëve kombëtare. /TVArbëria