Në fshatin Vojnovc të Komunës së Shtimes në rrugën “Ibrahim Shabani”, banorët e këtij fshati që nga pas lufta kanë pasur një rrugë të demoluar, me baltë e ujë. Me kërkesën e tyre për të shtruar një asfalt të ri, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu ka filluar dje punimet.
Një banor i fshatit, Fehmi Salihu ka thënë për KosovaPress se banorët janë shpërblyer pas luftës me këtë rrugë pasi që fshati ka mbajtur refugjatë të shumtë në luftën e fundit në Kosovë, mirëpo që prej atëherë nuk është intervenuar në të.
Salihu ka edhe një propozim për emër të rrugës pasi që të përurohet, duke e vlerësuar si një rrugë me shumë rëndësi për ta.
“Kjo rrugë ka qenë rrugë shumë me baltë, ujë mirëpo pas luftës na e kanë shtruar me këtë asfalt të cilin është si shpërblim që kemi mbajtur shumë refugjatë, fshati jonë njihet për numrin e madh të refugjatëve.. Kjo rrugë e ka emrin e vet në të ardhmen nëse e pëlqeni me e quajtur “Rruga e Refugjatëve” se nëpërmes kësaj rruge kanë kaluar shumë refugjatë. Kjo është një rrugë shumë me rëndësi dhe këtë na kanë bë shpërblim, e ende më mirë po dëshirojnë me e ndreq e kjo është e mirëseardhur”, ka thënë Salihu.
Banori tjetër, Enver Avdyli, ka mirëpritur këtë aksion nga Komuna e Shtimes në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, duke shtuar se jeta e tyre po përmirësohet.
“Si rrugë e kemi shtruar pas luftës, mirëpo tash është dëmtuar bukur shumë, e kanë shtruar së bashku me Komunën e Ferizajt, gjysma i përket Ferizaj gjysma Shtimes. Është e mirëseardhur ky aksioni që e kanë marrë, po vjen duke u përmirësuar jeta sidomos me qeverinë që e kemi”, ka shtuar Avdyli.
Në përurimin e fillimeve të punimeve, kryetari i Shtimes, Qemalj Aliu është shprehur se ky fshat nuk është mirëmbajtur që nga pas lufta me një rrugë të demoluar dhe me kërkesën e banorëve te fshatit Vojnovc kanë filluar punimet.
“Fshati Vojnovc, për hir të vërtetës në të kaluarën nuk ka qenë shumë i respektuar në aspektin e investimeve. Edhe unë e kam kënaqësinë dhe jam i hapur me qenë para miqve të mi, para bashkëvendasve të mi, për ta përuruar fillimin e një investimi tjetër të radhës. Një rrugë që është investuar menjëherë pas luftës dhe nuk është mirëmbajtur asnjëherë më, një rrugë e demoluar, ka qenë kërkesë e banorëve të fshatit Vojnovc, po edhe të fshatrave përreth. Të mos harrojmë kjo rrugë e lidh qytetin e Lipjanit, Shtimes edhe të Ferizajt, përkatësisht fshatin Grackë, Vojnovc edhe fshatin Tërrn. Projekti kushton diku 420 mijë euro, mbi dy kilometra rrugë. Sipas operatorit kjo rrugë mund të përfundojë diku nga fillimi i tetorit”, ka thënë Aliu.
I pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se banorët e Shtimes meritojnë të kenë një infrastrukturë që rrit edhe mirëqenien dhe mban lart dinjitetin e fshatit që i ka dhënë punë dhe sakrificë vendit tonë.
Kjo rrugë Vojnovc-Tërrn lidh komunën e Lipjanit, Shtimes dhe Ferizajt.
Investimi i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës ka kushtuar mbi 400 mijë euro, mbi dy kilometra rrugë dhe pritet të përfundoj në tetor të këtij viti. /kp