Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përqafimi i “politikës faustiane” nga CDU në Gjermani

Përqafimi i “politikës faustiane” nga CDU në Gjermani

Shkruan: Afrim Kasolli

Ajo që ishte konsideruar si e pamundur dje ndodhi në Gjermani. Unioni CDU/CSU dhe kandidati i tyre për kancelar Friedrich Merz, në mungesë të mbështetjes nga partitë e qendrës sikur Partia Social Demokrate dhe ajo e Gjelbër, për planin e tij kundër imigracionit, u detyrua ta “përkulet” para partisë së ekstremit të djathtë të Alternativës për Gjermaninë.

“Thyerje e tabuve”, “tërmet politik”, shembje e një trashëgime që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, harresë politike e anës më të erret historisë, si dhe shkelje e premtimeve për të mos bashkëpunuar me të djathtën ekstreme me asnjë çminim nga partitë e qendrës ishin vetëm disa nga vlerësimet që u sajuan për këtë aleancë jo të shenjtë në Bundestagun gjerman. Vetë  pretendenti për kancelar, pas  këtij votimi deklaroi se nëse një “kauzë është e drejtë, ajo nuk zbehet nëse votohet nga njerëz të gabuar”. Disa nga masat e këtij propozimi përfshin “kontrolle të përhershme kufitare me të gjitha vendet fqinje, futja nën masa arrresti të personave “të cilëve u kërkohet të largohen nga vendi” etj. Kurse Kancelari në detyrë, Olaf Scholz e quajti këtë akt si gabim të pafalshëm” të partisë kryesore aktuale opozitare gjermane.

Analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se kjo kthesë e befasishme është kushtëzuar nga presioni për ruajtur mbështetjen e elektoratit të djathtë duke marrë parasysh faktin e tema e emigracionit mbetet njëri nga shqetësimet kryesore të qytetarëve gjermanë.

Presioni, për të ndërtuar një qëndrim më të ashpër në këtë temë më qëllim që pengohet AfD të fitojë më shumë terren si dhe nevoja për ta mbajtur një distancë nga kjo parti si e rrezikshme për demokracinë gjermane i shoqëruan tensione të tilla. Në një prononcim për mediumin Politico, parlamentari nga CDU,  Jürgen Hardt, deklaroi se kjo “lëvizje do t’i sigurojë partitë qendrës që të mos u rrjedh elektorati drejt AfD. Madje sipas supozimeve të tij edhe shumë vota do t’u kthen pas. Kjo parti sipas matjeve të opinionit publik tashme është partia e dytë në Gjermani me 20 për qind.

Situata u bë edhe më alarmante, sidomos pas sulmit të fundit, kur një banorë me origjinë nga Afganistani i sulmoi me thikë dy qetarë gjermanë në parkun e në Aschaffenburg. E të mos përmendim  këtu edhe sulmin e mëhershëm, në qytetin  Magdeburg-ut, kur një mjek me orgjinë nga Arabia Saudite la të vdekur gjashtë persona dhe qindra të plagosur në tregun e Krishtlindjeve. Ndonëse me vonë u kuptua se veprimi i tij nuk ishte i nxitur nga pasionet e ekstremizmit fetar islamik. Megjithatë, përfaqësues të AfD-së këto raste dhe të tjera i kane shfrytëzuar si terren pjellor për t’i ushqyer sentimentet e frikës dhe ankthit kolektiv. Ndërkohë, kohë më parë, zyrtarë të CDU-së kishin premtuar se me marr pushtetin do ta imitonin modelin e dëbimit të atyre që kërkojnë strehim në Gjermani, sipas marrëveshjes që kishte nënshkruar kryeministrja  e Italisë, Georgia Meloni me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Sidoqoftë mbetet të shihet se çfarë impakti do të ketë ne elektoratin gjerman kjo “politikë faustiane”. Megjithatë hulumtimet e shumta kanë dëshmuar se forcimi i së djathtës ekstreme në shumë vende ka ndodhur në mos si pasojë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me të, të paktën edhe nga imtimi i fjalorit të saj për nevoja elektorale. Kjo ka ndikuar që sot në shumë tema të vërehet me vështirësi të dallimi ndërmjet partive të qendrës dhe atyre ekstreme. Në fund të fundit në raste të tilla njerëzit janë të prirur më shumë të votojnë origjinalin se sa imitimin.

Prandaj në vend të kësaj metode, analizat kanë dëshmuar, se partitë e qendrës kanë nevojë më shumë për ta afirmuar modelin e “centrizmit radikal”. Sepse siç kanë treguar të dhënat nga Datapraxis, arsyet e vërteta të kësaj kthese sizmike politike shpeshherë janë keqkuptuar, ngase shumë votues kanë lëvizur në drejtim të ekstremit politik më tepër nga dëshira e tyre për ndryshim se sa nga politikat që ato përfaqësojnë. /TV Arbëria