Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > “Përplasje” tjetër juridike dhe shtetërore ndërmjet Enver Hasanit dhe Kadri Kryeziut

“Përplasje” tjetër juridike dhe shtetërore ndërmjet Enver Hasanit dhe Kadri Kryeziut

Përgatiti : Afrim Kasolli

Mosvotimi i kandidatit të Listës Serbe Sllavko Simiq, për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës dhe përpjekja e Kryetarit të ri, Dimal Basha që për këtë pozitë fillimisht ta marrë ndonjë deputet nga kjo parti që i bie shorti dhe më pastaj Nenad Rashiqi, ashtu siç pritej ka ngjallur reagime masive në opinionin publik. Rrjetet sociale gëlonin nga sentimentet hiper-nacionaliste se si duhet të tejkalohet ky ngërç i ri politik. Ngase pa votimin edhe të nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, konstituimi i Kuvendit nuk konsiderohet i finalizuar proceduralisht.

Anash në këtë debat popullor nuk kanë qëndruar as personalitete më sfond juridik, e që në faza caktuara kanë pasur pozita të larta në Gjykatën Kushtetuese, sikur se Enver Hasani dhe Kadri Kryeziu. Edhe në këtë rast sikur shumë të tjera kohën e fundit këta dy personalitete kanë dhënë qëndrime diametralisht të kundërta.

Fillimisht, Enver Hasani, në një interviste për mediumin Nacionale ka pohuar se Nenad Rashiq nuk mund të jetë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb. Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese “Dispozitat kushtetuese janë të qarta, ashtu siç kanë qenë të qarta edhe për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, dhe i japin përparësi absolute propozimit të shumicës së deputetëve të komuniteteve joshqiptare për të zgjedhur kandidatin për nënkryetar të Kuvendit. Ata aty nuk përfaqësojnë ideologjinë politike, por të drejtat dhe interesat e komunitetit të tyre ashtu siç mbrohen ato nga Kapitulli III i Kushtetutës së Kosovës dhe dispozitat saj mbi mosdiskriminimin mbi asnjë bazë”. Në këtë kontekst, “votimi për nënkryetarët e komuniteteve joshqiptare duhet të bëhet në paketë, siç ka ndodhur gjithmonë në praktikën parlamentare deri më sot, pa asnjë përjashtim”

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ndonëse jo i drejtpërdrejt, ndaj pretendimeve të tilla juridike të Enver Hasanit. Ai ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, “se Lista serbe nuk ka veto bllokuese në konstituimin e Kuvendit dhe se nominimi, në bazë të shortit, i kandidatit Nenad Rashiq është i ligjshëm”. Për më shumë ai ka pohuar se mos votimi i Nenad Rashiqit nga PDK dhe LDK paraqet një akt misterioz dhe se i shpërfill parimet patriotike dhe kushtetuese të Rregullores së Kuvendit.

Mbetet të shihet se si do të përfundojë ky duel i ri juridik ndërmjet Enver Hasanit dhe Kadri Kryeziut. I dyti ka kohë që i ka kërkuar edhe debat të hapur të parit. Mirëpo, Enver Hasani është zotuar se do ta përfill kët thirrje ditën që Kadri Kryeziu do t’i shkruante vetë pa ndihmën e ChatGPT, ato që i poston në rrjetet sociale.