Një përplasje e ashpër është zhvilluar sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, pasi asamblisti Marko Jakshiq kërkoi që në rendin e ditës të përfshihej një pikë për situatën aktuale në veri dhe zhvillimet në Mitrovicën e Veriut.
Pas kësaj, asamblistja Aida Ferati-Doli ka reaguar, duke thënë se çështjet e përmendura nga Jakshiq nuk duhet të lidhen me pronat e “Trepçës” në baza politike apo etnike.
Gjatë debatit, kryesuesi i Kuvendit, Ivan Zaporozhac, ia ka ndërprerë fjalën Ferati-Dolit, duke thënë se çështja nuk ishte pjesë e rendit të ditës. Ferati-Doli ka kundërshtuar ndërprerjen e fjalës dhe ka thënë se asaj dhe asamblistëve shqiptarë u ndërpritet fjala, duke kërkuar që të lejohet debati.
Në debat është përfshirë edhe asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi, i cili ka kritikuar mënyrën e udhëheqjes së seancës nga kryesuesi.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, ka thënë se Ferati-Doli nuk ishte paraqitur për të propozuar plotësim të rendit të ditës, por për t’iu përgjigjur Jakshiqit.