Një përçarje serioze ka shpërthyer brenda degës së LDK-së në Mitrovicë, vetëm pak ditë para mbajtjes së Kuvendit të partisë, ku tashmë janë ngritur akuza të rënda për përjashtime selektive dhe mungesë totale transparence në procesin e përzgjedhjes së delegatëve.
Delegati Armend Agolli nga dega e LDK-së në Mitrovicë, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka reaguar publikisht duke deklaruar se është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvend pa asnjë sqarim zyrtar, bashkë me të paktën tre delegatë nga Mitrovica dhe disa të tjerë nga degë të ndryshme.
Sipas Agollit, Kuvendi pritet të mbahet më 31 dhjetor, ndërsa paralajmëron se mënyra se si po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së delegatëve është selektive, pa kritere të qarta dhe pa transparencë, çka – sipas tij – rrezikon drejtpërdrejt legjitimitetin dhe besimin ndaj procesit partiak.
“Kur nis përzgjedhja selektive e delegatëve, pa transparencë dhe pa kritere të qarta, procesi rrezikon të humbë legjitimitetin dhe besimin”, ka shkruar Agolli.
Ai ka parashtruar tri kërkesa konkrete: arsyetim me shkrim për largimin e tij dhe të delegatëve të tjerë, publikimin e listës së plotë të delegatëve dhe kritereve të përzgjedhjes/verifikimit, trajtim të barabartë për të gjithë, pa presion dhe pa filtrim politik.
Në reagimin e tij, Agolli thekson se LDK nuk mund të forcohet përmes përjashtimeve, por vetëm përmes rregullave të qarta dhe ndërtimit të besimit të brendshëm.
Ngjarja ka ngritur dyshime serioze për eliminim të qëllimshëm të delegatëve të konsideruar “të padëshiruar”, në një moment kritik për partinë, duke thelluar krizën e brendshme në një nga degët e rëndësishme të saj.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, LDK dhe strukturat e saj zyrtare nuk kanë dhënë asnjë reagim lidhur me këto akuza. Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë zhvillimin e kësaj çështjeje.