Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përpjekja e kryeministrit Kurti për t’i imituar taktikat e kryeministrit Netanyahu në raport me Amerikën

Përpjekja e kryeministrit Kurti për t’i imituar taktikat e kryeministrit Netanyahu në raport me Amerikën

Shkruan: Afrim Kasolli

Kemi qenë dëshmitar të shumë tensioneve gjatë këtij mandati qeverisës ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe shteteve perëndimore në përgjithësi, si dhe SHBA-ve në veçanti. Këto mosmarrëveshje kanë pasur për bosht kryesisht temën e veriut dhe veprimet e Policisë së Kosovës në atë pjesë kundër strukturave ilegale të Serbisë. Shumë prej këtyre masave diplomatët nga Uashingtoni i kanë quajtur si të njëanshme, të pakoordinuara dhe të cilat i kontribuojnë shtimit të tensioneve ndëretnike dhe mund të jenë kërcënim për stabilitetin rajonal. Po ashtu, frustrimi i SHBA-ve, është rritur me neglizhimin e Qeverisë së Kosovës, për t’i zbatuar obligimet që dalin nga Marrëveshja bazike e Brukselit dhe Aneksi i zbatimit në Ohër, me theks të veçantë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit kryesor të Departamentit amerikan të Shtetit, kanë shkuar deri atje sa kanë deklaruar se vendi i tyre e ka humbur edhe motivin për të lobuar në aspektin ndërkombëtar për shtetin e Kosovës.

Ndërkohë, zyrtarët e pushtetit në Kosovë i kanë arsyetuar veprimet e tyre në veri si të domosdoshme dhe në funksion të shtrirjes së ligjshmërisë dhe sovranitetit në atë pjesë të Kosovës. Në këtë drejtim SHBA-të, e kanë njohur të drejtën e shtetit të Kosovës, por ato më shumë janë zemëruar për qasjen e Qeverisë së Kosovës për hapat e ndërmarr pa konsultim paraprak me ta, në mënyrë që sipas diplomatëve amerikanë ky proces të jetë i bashkërenduar me qëllim që të shmanget eskalimi i situatës. Kurse në dallim nga kjo qasje, kryeministri ka ndjekur taktikën e veprimit paraprak dhe më pastaj të konsultimit me partnerët, duke i vendosur në një farë mënyre ata para faktit të kryer.

Një taktikë të tillë, deri më tani shihet se e ka ndjekur kryeministri izraelit Benjamin Natanjahu, në luftë kundër Hamasit dhe Hezbollahut. Sipas mediumit CNN, Netanyahu shumicën e kohës paraprakisht vepron dhe më vonë konsultohet me SHBA-në, madje edhe kur është i sigurt se veprimet e tij i dëmtojnë përpjekjet diplomatike amerikane dhe do ta rrisin frikën se SHBA mund të zhytet në një luftë rajonale.

Bie fjala, SHBA-të nuk ishin informuar për sulmin ajror izraelit në Liban të premten që vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Kjo qasje, ka ndikuar që administrata Biden të duket më shumë si një spektator se sa një lojtar aktiv në ngjarjet kaotike të asaj bote, edhe pse është një superfuqi botërore. Për pasojë kanë dështuar edhe përpjekjet e vazhdueshme të Sekretarit i Shtetit Antony Blinken, për të siguruar një armëpushim në Gaza, të cilin as Netanyahu dhe as Hamasi, nuk kanë vullnet politik për ta zbatuar.

Kështu, ky veprim dual në raport me SHBA-në, sipas mediumit në fjalë, ka një kosto edhe për prestigjin global të saj. Por si i tillë ai bazohet në kalkulimin e liderit izraelit, se pavarësisht tensioneve dhe mosmarrëveshjeve që mund të ketë me Uashingtonin, në fund të fundit, SHBA-të do të mbesin garantuesi kryesor i sigurisë së Izraelit. Dhe në këtë drejtim ka të drejtë, sepse pavërisht thirrjeve dhe kritikave të administratës Biden për frenim të Izraelit, përsëri ai vend mbetet furnizuesi kryesor më armatim shtetit hebre.

Në këtë kontekst, Albin Kurti në vazhdimësi është sjellur me SHBA-të në të njëjtën mënyrë. Edhe ky ka bërë shpeshherë që SHBA-të, të duket si vëzhgues pasiv i zhvillimeve që lidhen me pjesën veriore, edhe përkundër faktit se ai shtet mbetet garantuesi kryesor i sigurisë dhe qëndrueshmërisë i Kosovës. Kjo e ka revoltuar jo pak partnerin kryesor të Kosovës.

Sidoqoftë, përpjekja e kryeministrit Kurti për t’i imtuar taktikat e kryeministrit izraelit, Benjamin Natanjahu, nuk do të thotë që do të mund te jetë efektive edhe për të. Sepse e para Kosova nuk është Izrael. Dhe e dyta SHBA-të, nuk e konsiderojnë me të njëjtën optikë Serbinë sikur Hezbollahun apo mbështetësin e tyre kryesor Iranin. Përkundrazi, më këtë të fundit janë duke i thelluar gjithnjë e më shumë raportet bilaterale diplomatike, ekonomike dhe strategjike. /TV Arbëria

Powered by WordPress