Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Përkundër ankesave të opozitës, Komisioni për Shëndetësi voton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

Përkundër ankesave të opozitës, Komisioni për Shëndetësi voton Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka votuar në parim i Projektligjit për çmimin e produkteve medicinale, i cili u aprovua javë më parë nga Qeveria e Kosovës. 

Nga mazhoranca ky Projektligj u konsiderua me shumë ndikim për qytetarët, ndërsa opozita e sheh si favorizim për oligarkët farmaceutikë, ndërsa i vështirëson kompanitë e vogla.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se me këtë projektligj, favorizohen kompanitë e mëdha, ndërsa dëmtohen ato të voglat. Ai kërkoi që të merren parasysh edhe disa rekomandime të opozitës.

“Është e vërtetë që Kosova ka nevojë për ligjin për rregullimin e çmimit të barnave dhe është më se e vërtetë se ne si parti e kemi dorëzuar projektligjin e propozuar të njëjtin ligj një vit më parë, që mazhoranca nuk e ka miratuar. Ky projektligj i favorizon oligarkët farmaceutikë. Ky model i favorizon kompanitë e mëdha dhe i vështirëson kompanitë e vogla. Unë mendoj që do të duhej të ishte njëkohësisht Ligji për Pajisje dhe Produkte Medicinale. Unë mendoj që duhet ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje, jo ta bëjmë këtë ligj për debate politike. Këto dy ligje duhet të trajtohen njëkohësisht”, u shpreh ai.

“Çështjen e çmimeve ta rregullojmë njëherë e mirë këtë punë, jo paradite të ketë një çmim, ndërkaq natën kur ka më pak barnatore hapur, një çmim tjetër. Nuk është qëllim i ligjit nëse është në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian, por të bëhet një zgjidhje për Kosovën. Mbështetjen tonë do ta keni nëse e merrni parasysh projektligjin që ne e kemi dorëzuar në Kuvend që ta pasurojmë këtë ligj, pra ta kemi vullnetin si deputetë që ta rregullojmë atë”, tha Haxhiu.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, kërkoi nga opozita ta përkrahin këtë Projektligj.

“Ajo pjesa më e rëndë që ka prek qytetarët në sektorin e shëndetësisë ka qenë sektori i barnave. Mendoj që është një ligj mirë i përpunuar, sot nuk isha i përgatitur të diskutojë se kemi diskutuar mjaftueshëm. Por deputeti Haxhiu e ngriti një çështje që është favorizimi i oligarkëve që nuk është e vërtetë.  Neni 10 flet për përcaktimit e çmimit të barnave origjinalë. Ne mund ta diskutojmë por unë mendoj që qëllimi i ligjit ka prek nga distribuimi me shumicë deri tek ajo shitja me pakicë. Përndryshe ligji është i përpunuar mirë dhe mendoj se duhet ta miratojmë”, tha Shkreta.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, e konsideroi si shumë të vonuar këtë Projektligj.

Ndonëse e përkrah këtë Projektligj, Dreshaj pati edhe disa kërkesa në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kam pritur që të jetë më shumë i analizuar. Isha duke i shikuar të gjitha rekomandimet e shoqatës së farmaceutikëve, dhe asnjë prej tyre nuk është vendosur në ligj. Do të ishte mirë që ta kishim edhe ligjin për pajisje dhe produkte medicinale dhe këtë ligj që sa më shpejtë të harmonizohen. Kisha dashtë që të ulemi dhe ta bëjmë një punë që ta bëjmë këtë ligj sa më të mirë të mundshëm. Për këtë ligj ka nevojë populli, ka nevojë qytetari dhe ne kemi nevojë. Unë jam pro ligjit, që të miratohet, vetëm se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i pranojë ato pikat që të bëhet sa më i mirë si ligj”, tha Dreshaj.

E Haxhi Avdyli nga Lista Guxo, tha se ky Projektligj është i shumëpritur por që edhe ky e konsideron si të vonuar.

Problematikë sipas tij do të jetë numri i vogël i inspektorëve farmaceutikë.

“Pajtohem se ka pasur një vonesë. Ne kemi mundësi që ta plotësojmë dhe të ngrisim të gjitha mospëlqimet. Ne në Kosovë nuk vuajmë për ligje të mira, por për zbatimin e tij. Për shembull e kemi Ligjin e Duhanit i cili e ndalon pirjen e duhanit brenda por prapë pihet, njëjtë mund të ndodhë edhe me farmaci. Me këtë numër të inspektorëve farmaceutikë ky ligj e ka problem zbatimin e tij, duke marrë parasysh depot e mëdha”, tha Avdyli.

Ndërsa Fatmire Kollçaku, kryetare e komisionit tha se kanë për synim që kostoja e barnave në treg të jetë e krahasueshme me vendet e rajonit.

“Kjo fushë lidhet me prioritetin e Qeverisë për sigurimin e barnave të nevojshme për qytetarët. Propozoj që ta votojmë ne parim këtë projektligj. Fitimet me këtë ligj do të minimizohen dhe do të jenë shumë reale”, tha Kollçaku.

Me tetë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligji për çmimin e produkteve medicinale është dërguar në Kuvend.

/TV Arbëria

Powered by WordPress