Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Përjetësia e Kadaresë

Përjetësia e Kadaresë

Shkruan: Ardian Shtuni
Më shumë se 25 vjet më parë, zgjodha si temë diplome universalitetin dhe pakohësinë e veprës së Kadaresë. Pa dyshim, në tranzicionin e trazuar shoqëror të viteve 90, Kadareja ishte një nga të paktat pika fikse të Shqipërisë, ndoshta pjesa më e mirë e krenarisë sonë kulturore e shoqërore të ndrojtur e të drobitur sa nga traumat dhe mjerimi i trashëguar nga komunizmi aq edhe prej amullisë stresuese, pasigurisë dhe kaosit të kapitullit të parë të kuazi-kapitalizmit alla Shqiptar. Sa herë që ndiheshim keq e të mpakur para vetes dhe botës, Kadareja na vinte në ndihmë si varkë shpëtimi. Po, thoshim, jemi keq, por ne kemi Kadarenë.
Ajo që më intrigonte intelektualisht ishte ajo që e bënte Kadarenë, fqinjin tim të Rrugës së Dibrës, kaq tërheqës për lexuesin evropian, lexuesin në atë kontinent ku, edhe pse ishim në shtëpi, ndiheshim të largët, të paragjykuar, të huaj. Padyshim që për bunkerin kulturor e social ku u vetëinternuam për gjysmë shekulli komunizëm nuk na e kishin fajin të tjerët. Por çfarë kodi, çfarë çelësi përdorte Kadareja për të hyrë e dalë si në shtëpinë e tij në mendjet dhe zemrat e lexuesve të huaj?
Ndonëse shkruante shqip, për peizazhe, dinamika, personazhe, andralla, intriga, dasma, vdekje, halle e gëzime kryesisht shqiptare e ballkanike, gjenialiteti i mendimit dhe eleganca e shprehjes së tij i bënin ato të afërta, tërheqëse, madje edhe magjepsëse për një publik shumë më të gjerë. Kjo sepse personazhet e universit të tij letrar, sa të thjeshtë aq dhe komplekse, Kadare i gatonte me tharmin e folklorit, mitologjisë dhe ekzistencializmit në magjen e tragjedive klasike. Këta personazhe që jetojnë mes reales, surreales dhe groteskes ngrenë pyetje themelore për lirinë, pushtetin, totalitarizmin dhe thelbin e qenies. Pikërisht kjo përcakton universalitetin dhe pakohësinë e veprës së Kadaresë, e cila nuk vyshket nga koha dhe tingëllon aktuale dhe vendase kudo dhe kurdo, njesoj si vepra e Kafkës, Kunderës, Orwellit, apo Márquezit. Kjo magji e bën atë sa shqiptar, aq edhe evropian e botëror, pra universal; një shkrimtar gjenial që kapërcen kufijtë e identiteteve kulturore, kohës dhe gjeografisë.
Vdekja fizike e një artisti si Kadareja është padyshim trishtuese. Por, shkrimtarët e kalibrit të Kadaresë janë të pavdekshëm. Ata e sfidojnë vdekjen me gjenialitetin e mendimit, imagjinatës dhe krijimtarisë që vazhdon të jetojë në përjetësi. Vepra e Kadarene është ndoshta tempulli më i bukur, ftues, dhe madhështor i gjuhës shqipe. I tillë që sa herë më mungon Shqipëria, lexoj Kadarenë dhe çmallem. Padyshim, ai është dhe do të mbetet pasaporta kulturore e shqiptarëve dhe një mjeshtër i madh dhe i përjtshëm i letërsisë moderne evropiane.

Themes by WordPress