Ylli i Kombëtares së Kroacisë, Ivan Perisic ka folur para përballjes së sotme me Shqipërinë duke thënë se është një ndeshje të cilën duhet ta fitojnë.
Shqipëria do të ndeshet me Kroacinë sot (e mërkurë) në ndeshjen e dytë të Grupit B në Euro 2024, ndeshje e cila pritet të zhvillohet në “Volksparkstadion” të Hamburgut me fillim nga ora 15:00.
Para kësaj përballje thuajse vendimtare për të dyja kombëtaret, ka folur edhe ylli kroat Perisic, i cili ka thënë se e njohin tashmë Shqipërinë, por ekipi i tij është gati dhe duhet të fitojë.
“Është një lojë që duhet të fitojmë ne. Ne nuk bëmë mirë në ndeshjen e parë dhe duhej të ndryshonim diçka për ndeshjen kundër Shqipërisë. Punuam shumë në për disa ditë dhe besoj se do të jemi gati”, ka thënë fillimisht Perisic për EURO2024.com.
“Ne shikuam disa video të Shqipërisë, gjithashtu disa video nga ndeshjet e tyre kualifikuese dhe mendoj se jemi përgatitur mirë për ta. Informacionet që gjetëm për ta do t’i mbajmë për vete dhe jam i sigurt që do të jemi gati për ato”.
Në fund, ish-ylli i Interit pati disa fjalë edhe për tifozët kroat, të cilët gjithashtu janë në numër të madh në Gjermani.
“Ne e dimë se shumë kroatë jetojnë këtu në Gjermani dhe dua t’i falënderoj shumë për ndeshjen e parë. Shumë prej tyre erdhën për të na mbështetur dhe ne i zhgënjyem, por sot është një ditë e re dhe shpresoj se do të fitojmë tani”, përfundoi anësori kroat.