Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përgjigja ndaj TV Arbërisë, dëshmon se Kryeministri Kurti vazhdon ta mohojë realitetin

Përgjigja ndaj TV Arbërisë, dëshmon se Kryeministri Kurti vazhdon ta mohojë realitetin

Se kryeministri Kurti është duke jetuar në një realitet paralel dhe i ngurosur në oazën e tij mentale e jashtë proceseve politike e dëshmon edhe përgjigja e tij dhënë ndaj mediumit të TV Arbërisë, se nuk është e vërtetë së është duke i dëmtuar raportet ndërshtetërorë me vendet aleate të Kosovës. Kështu, të vërtetës reale mbi pozicionin e palakmueshëm ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, i pari i qeverisë ka vendosur që t’i kundërpërgjigjet me të vërtetat e tij imagjinare.

Për më shumë se një muaj, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka insistuar se Kosova me veprimet e fundit është duke e dëmtuar edhe premtimin e Kosovës që gjendet i brendashkruar në deklaratën e pavarësisë, dhe mbi të cilën SHBA-të e kanë njohur si shtet në vitin 2008. Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit, në një komunikatë zyrtare e ka akuzuar Prishtinën se po ia pamundëson SHBA-ve avokimin ndërkombëtar për Kosovën.

Ndërkohë, kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës kishte shprehur edhe Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, në një intervistë për Zërin e Amerikës.  O’Brien, kishte deklaruar se “Nëse ai [Kurti] nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, derisa tregonte për mungesën e koordinimit për çështjen e dinarit. Por ashtu sikur sot, një ditë pas këtyre deklarimeve të këtij zyrtari të lartë të administratës amerikane, zyrtarët të pushtetit në Kosovë tentuan që ta relativizojnë këtë deklaratë si të pavërtetë. Qasje kjo që e detyroi të nesërmen Ambasadorin amerikan në Prishtinë për të organizuar një konferencë të posaçme për media para Ambasadës, me qëllim që ta dëshmojë të kundërtën e asaj që po e propagandonin zyrtarët qeveritarë. Kështu, diplomati amerikan deklaroi se janë se “janë të frustruar dhe shqetësuar me veprimet e Kosovës”. Për të dëshmuar sa dramatike është situata ai iu drejtua Kosovës në formë të një pyetje “A e keni ju idenë se çfarë do të thotë të flas ashtu siç foli James O’Brien?”. E tëra kjo duke marrë parasysh edhe pozitën që e gëzon ky i fundit në kuadër të hierarkisë shtetërore dhe diplomatike të SHBA-ve. Kurse, për ta përforcuar këtë qëndrim përsëri në Zërin e Amerikës, i dërguari Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte deklaruar se veprimet e Kosovës nuk prodhojnë stabilitet rajonal.

Por se Kurti i ka dëmtuar raportet jo vetëm me Amerikën por dhe me shtetet evropiane, sikur se Gjermaninë, e cila edhe ka qenë njëri nga mbështetësit kryesor të këtij pushteti, e dëshmojnë edhe deklarimet e të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për mediat në Shqipëri se “rruga që po ndjek Kurti mund të mos jetë e mirë për afrimin e Kosovës me BE”.

Kështu, deri sa Uashingtoni po e akuzon Qeverinë e Kosovës se nuk po e trajton si partnere SHBA-në, kurse Berlini se me veprimet e tij Kurti, është duke vepruar kundër interesave të Kosovës për afrim me BE-në, kryeministri vazhdon te jetojë në botën e tij iluzore brenda një “solipsizimi politik” “se gjithçka është e mundur edhe asgjë nuk është e vërtetë”. Dhe kështu në vend të interesave strategjike shtetërore të përkujdeset për aleancat e tij personale dhe ideologjike.

Powered by WordPress