Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën është mbajtur seanca ndaj Dibran Hoxhës i njohur me nofkën “Kobra” dhe pesë të tjerëve të dyshuar për rastin e vrasjes së shtetasit të Shqipërisë, të martën në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit për Dibran Hoxhën.
E njëjta pritet të ndërmirret nga gjykata brenda të mërkurës së katër janarit.
Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, raporton Betimi për Drejtësi..
Ndryshe, të martën e 3 janarit një shtetas i Shqipërisë ka mbetur i vrarë, pasi dyshohet se u plagos nga Dibran Hoxha, në oborrin e lokalit “Kobra City”, që është pronë e Hoxhës.
Konflikti dyshohet se nisi për shkak të një fature, kurse gjuajtjes me armë i parapriu një rrahje mes të dyja palëve. Dibran Hoxha dhe pesë persona të tjerë për orë të tëra janë marrë në pyetje në stacionin e Policisë në Prizren. /TV Arbëria