Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Përfundon protesta në Shtërpcë, lirohet rruga për qarkullimin e automjeteve

Përfundon protesta në Shtërpcë, lirohet rruga për qarkullimin e automjeteve

E plotësuar: Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka përfunduar protesta në komunën e Shtërpcës.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se rruga Shtërpcë-Prevallë tashmë është liruar për qarkullim.

“Ju njoftojmë se në ora 12:30 ka përfunduar protesta që ishte paralajmëruar të mbahej në Shtërpcë. Protesta ka kaluar e qetë dhe nuk është raportuar për incidente. Tani, rruga rajonale Shtërpcë – Prevallë  është e lirë për qarkullimin e automjeteve”, njofton policia.

Rakiq e Jevtiq kërkojnë siguri për qytetarët serb, thonë se janë kohë të vështira për ta

E plotësuar: Në Shtërpcë është mbajtur protesta lidhur me plagosjen e dy të rinjve të nacionalitetit serb që ndodhi të premten më 6 janar.

Të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetari i kësaj komune Dalibor Jevtiq.

Rakiq ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti duke thënë se “regjimi i tij është edhe në Shtërpcë siq ishte edhe në veri”.

“Jemi këtu, pas 20 ditëve të qëndrimit të vëllezërve tonë në barrikada në veri të Kosovës. Regjimi i Kurtit është në Shtërpcë ashtu siç është në veri. Siç e shihni nuk jemi të lodhur, për 20 ditë nuk e kemi sulmu asnjë shqiptarë me qëllimin që të mos japim arsye shqiptarëve – qeverisë Kurti për sulme. Ata duhet të ofrojnë siguri e jo të na frikësojnë”, ka thënë Rakiq.

Ai u ka kërkuar qytetarëve serb të mos dorëzohen. “Mesazhi ynë është që mos të dorëzohemi”, ka thënë ndër të tjera Rakiq.

Ndërkaq kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq u shpreh se “Kurti duhet të ndaloj sulmet ndaj fëmijëve tonë”.

“Duam ta dërgojmë mesazhin se askush s’mund të na prek dhe të na largoj. Rezultati aktual i qeverisjes është që të na sulmojnë. Kurti duhet të ndaloj sulmet ndaj fëmijëve tonë”, ka thënë Jevtiq.

Fillon protesta në Shtërpcë, prezent edhe udhëheqësit e Listës Serbe

Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në komunën e Shtërpcës për të protestuar lidhur me rastin e plagosjes së dy të rinjve të nacionalitetit serb, që ndodhi të premten më 6 janar 2023.

Prezent në këtë protestë janë parë edhe udhëheqësit e Listës Serbe.

Për të mbajtur rendin, prezent janë edhe zyrtarët policor nga Policia e Kosovës, e gjithashtu janë parë edhe trupa të KFOR-it.

Për shkak të kësaj proteste, Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga Shtërpcë-Prevallë do të mbyllet përkohësisht për qarkullim.

Të lënduar nga incidenti i 6 janarit mbetën një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar, përderisa i dyshuari në këtë rast është një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimi. /TV Arbëria

Themes by WordPress