Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka njoftuar se tashmë ka përfunduar me sukses procesi i tenderimit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytetin e tij.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se pjesë e këtij projekti është jo vetëm instalimi i kamerave në vendet kyçe, por edhe plani i detajuar për mirëmbajtjen e tyre.
“Për ta garantuar kështu funksionalitetin e vazhdueshëm dhe efektivitetin e kamerave”, ka shtuar ai.
Sipas tij, ky sistem modern do të ofrojë mbikëqyrje të vazhdueshme nëpër pika strategjike të qytetit dhe do të krijojë ambient më të sigurt për të gjithë.
Gjithashtu, ai ka njoftuar se Komuna e Prizrenit do të nënshkruaj Memorandum Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës e cila do ta bëj vëzhgimin e kamerave të montuara në qytet.