Dëshmitarja e 94-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Stamena Jeliq, ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates së Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, dëshmitarja pohoi se ka dokumente të nënshkruara, në të cilat deri më tani ishin evidentuar në pesë raste fjali për të cilat ajo tha që nuk i ka thënë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Avokatja Tavakoli pyeti dëshmitaren lidhur me deklaratën e saj ku pretendohet se ka thënë që bashkëshorti i saj është rrëmbyer me udhëzimet e Avni Balës, Nazmi Shabanit, Shkurt Miftarit dhe Arsim Dergutit.
“Nuk i kam përmend asnjëherë këtë emra”, tha Jeliq.
Dëshmitarja tha se nënshkrimi është i saj në atë dokument, por që fjalët nuk janë të saj. Ajo shtoi se nuk i kujtohet se a ishte kjo fjali në momentin kur ka nënshkruar dokumentin.
Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtjes së Thaçit për të vazhduar me mbrojtjen e Jakup Krasniqit, përmes avokatit Eiden Ellis pasi që mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk patën pyetje.
Ellis lexoi për dëshmitaren një raport të Kishës Ortodokse Serbe, ku kishte shkruar për rrëmbimin e Marko Jeliq.
Sipas këtij raporti, Marko Jeliq ishte marrë nga shtëpia nga tre shqiptarë të armatosur me veshje civile, të cilët ishin rreth të 30-ave, e që kishin thënë se Markon do ta merrnin vetëm për një intervistë dhe do ta kthenin menjëherë.
Dëshmitarja mohoi se ajo ose familjarët e saj i kanë dhënë informacione të tilla Kishës Ortodokse.
“Pikë se pari, bashkëshorti im nuk është zhdukur në qershor por më 9 gusht. Se kush i ka thënë e çfarë ka thënë unë nuk e di se çfarë lidhje ka kjo me mua dhe me familjarët e mij”, tha Jeliq.
Ellis u fokusua edhe tek deklaratat e dëshmitares për Ismet Tarën.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit, dëshmitarja tha se përveç nga banorët në Rahovec, ajo kishte dëgjuar edhe nga një grua të cilës i ishte rrëmbyer burri që Ismet Tara ishte përgjegjës.
Pyetje për dëshmitaren pati edhe nga trupi gjykues, për çka gjyqtari Christoph Barthe kërkoi seancë private.
Seanca e sotme në këtë çështje gjyqësore përfundoi së bashku me dëshminë e kësaj dëshmitareje. Ndërsa, seanca e nesërme pritet të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit të 95-të.