Kanë përfunduar gërmimet në tunelin e Llogarasë, një prej fazave të punimeve, ndërsa e gjithë vepra infrastrukturore pritet të hapet në fillim të muajit qershor të vitit të ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili inspektoi punimet këtë të martë i shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Sipas kreut të qeverisë, Tuneli i Llogarasë do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të Jonit, si dhe do të rrisë standardet e sigurisë rrugore.
“Përfundojnë me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogarasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore. Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”, shkruan Rama.
Zv.kryeministrja Balluku, njëherazi edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Ebergjisë, u shpreh se punimet kanë vijuar me shpejtësi, kjo edhe për shkak të kushteve gjeologjike që kanë qenë të përshtatshme.
“Synimi ynë është që në sezonin e 2024, pra 1 qershorin e 2024 e gjithë vepra, pra 7. 4 km, sepse 6 km është tuneli dhe 1. 4 janë rrugët ndihmëse dhe lidhëse, urat që do të lidhen direkt me pjesën e Palasës të jenë gati në 1 qershor dhe operative për të qytetarët. Ky është synimi i gjithë grupit. Gjeologjia ka qëne e mirë, krahasuar me punimet e tuneleve të tjera, si ai në rrugën e Arbrit”, tha Balluku.
Punimet pët tunelin e Llogorasë, me një gjatësi prej afro 6 kilometra, kanë nisur në fund të nëntorit të vitit 2021. Ky investim kushton rreth 140 milionë euro dhe pritet të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta që përshkohet aktualisht, në vetëm 7 minuta./rtsh