Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Përfundimi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: A pritet lirimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit?

Përfundimi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: A pritet lirimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit?

Janë bërë gati pesë vite që kur krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke u gjykuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Këtë javë, trupi gjykues në Dhomat e Specializuara ka lëshuar një vendim ku ka caktuar 14 nëntorin si datë e synuar për përfundimin e paraqitjes së provave prej ekipeve Mbrojtëse.

Sipas njoftimeve të fundit të gjykatës, më 15 shtator 2025, mbrojtja në gjykimin e Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tij do të fillojë paraqitjen e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me dëshmitarin e parë të thirrur nga mbrojtja e Thaçit.

Ndërsa palët mund të paraqesin dosjet përfundimtare dhe deklaratën lidhur me ndikimin e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse në procedurat gjyqësore, para fillimit të pushimit dimëror të gjykatës më 22 dhjetor të këtij viti

Lidhur me këtë temë, për  TV Arbëria ka folur juristi Ardian Bajraktari. Sipas tij, në bazë të procesit të deritanishëm, pritet që të rrëzohen pretendimet e prokurorisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së për veprën e ashtuquajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Nga shtatori presim të shihet një anë tjetër e medaljes, ku rol determinues dhe shumë të rëndësishëm në këtë proces do të ketë pala mbrojtëse. Mbi bazën e asaj që është konfirmuar, do të ketë dëshmitarë jashtëzakonisht kredibilë, me çka vlerësoj se do të rrëzohen tezat dhe pretendimet e prokurorisë për sa i përket ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me theks të veçantë ajo që njihet e ashtuquajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale””, ka thënë Bajraktari për TV Arbëria.

Juristi thekson se brenda këtij viti pritet të përfundojë ky proces, ndërsa epilogu përfundimtar mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, 2026.

Sipas tij, akuza për veprën “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nuk është argumentuar nga prokuroria, prandaj thekson se lirimi i ish-krerëve do të ishte i domosdoshëm.

“Në bazën e ecurisë së procesit të deritanishëm vlerësoj që brenda këtij viti do mund të kemi përfundim të procesit. Ndërsa epilogu, përkatësisht vendimi, besoj që do mund ta kemi në pjesën e parë të fillimit të ardhshëm. Po flasim mbi atë që kemi parë deri tash. Në bindjen time, pika kyçe e aktakuzës, apo siç njihet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, nuk është argumentuar, prandaj vlerësoj që lirimi, përkatësisht shpallja e pafajshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ishte epilog real i këtij procesi të stërgjatur dhe me shkelje jo të pakta”, ka deklaruar Bajraktari për TV Arbëria.