Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Performanca e ulët e prodhimit”, Trepça jep arsyetim banal pasi la qe dy muaj minatorët pa rroga

“Performanca e ulët e prodhimit”, Trepça jep arsyetim banal pasi la qe dy muaj minatorët pa rroga

Ndërmarrja publike “Trepça Sh.A” ka dalë me një reagim pasi ka lënë pa rroga tash e dy muaj minatorët e kësaj miniere.

Sipas tyre, problemi është përformanca e ulët e prodhimit dhe humbjet e borxhet e grumbulluara.

Në njoftim thuhet se “udhëheqja e ndërmarrjes po punon intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat dhe minatorët t’i kthehen punës në minierën me flotacion Trepça-Stan Tërg.”

“Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj, po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.

Bordi Mbikëqyrës ka treguar përkushtimin e vet, duke takuar organizatën dhe përfaqësuesit e punëtorëve që në marrje të detyrës dhe duke i njoftuar në vazhdimësi për planin dhe veprimet e shpejta që priten të merren.

Udhëheqja e ndërmarrjes e kupton rëndësinë e kërkesës së minatorëve dhe po punon me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur, për të rifilluar punën e minierës me flotacion Trepça-Stan Tërg dhe për të stabilizuar operimet e ndërmarrjes.

Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar”.