Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga takimi i kryeministri Kurti me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, në masë të madhe u riaktualizua përsëri tema zgjedhjeve të parakohshme.
Si njëri ashtu edhe tjetri u shprehën të gatshëm për ta iniciuar këtë proces me anë të shpërbërjes së Kuvendit. Mirëpo, një nismë e tillë nuk u mirëprit nga dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me arsyetimin se vetëm dorëheqja apo shkarkimi i Kryeministrit Kurti janë rruga e vetme drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Mirëpo, mungesa e konsensusit fillimisht opozitar për të shkuar në zgjedhje sipas kësaj metode, duket se do të ndikojë që të dështojë kjo nismë. Ndërkohë, dy prej kërkesave tjera opozitare janë të pa pranueshme nga kryeministri Kurti. Sepse ai e ke bërë disa herë të qartë, që nëse opozita i do zgjedhjet ai është i gatshëm t’i ndihmojë asaj me anë të shpërndarjes së Kuvendit.
E ky dështim do të nënkuptonte se tashmë zgjedhjet e reja do të mbahen vetëm sipas afatit të rregullt kushtetues. Ndërkohë, anticipimi i kësaj teme, nuk ka dyshim se do përdoret nga partitë politike për përfitime elektorale.
PDK-ja do të insistojë se në këtë mënyrë ka synuar ta ndërpres praktikën keqqeverisëse të këtij pushteti. Kurse partitë opozitare, me theks të veçantë Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi disa herë i kishte shërbyer gjatë këtij mandati pushtetit, sikurse në zgjedhjen e presidentes apo bllokimin e iniciativës për ta dërguar në Gjykatë Kushtuese mosveprimin saj në emërimin kryeprokurorit të shtetit, do të tentojë maksimalisht që darkën e Memli Krasniqit me Albin Kurtin ta shndërrojë në ushqim të helmatisur politik për të parin me argumentin se të dy janë identik dhe se alternativa e vetme ndaj këtij binomi fatkeq për Kosovën mbetet LDK-ja.
Sidoqoftë, nga kjo zbrumë për asgjë, pa dyshim se do të tentojë të përfitojë edhe kryeministri Kurti. Ai do t’i mëshojë argumentit se i ka lutur partitë opozitare për zgjedhje, por ato nuk ishin të gatshme. Dhe ky ngurim i tyre nuk është i rastësishëm, por shprehje vullnetit dhe kënaqshmërisë së tyre me punën e ekzekutivit. Po ashtu, se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, është lideri i vetëm që i ka ofruar stabilitet institucional dhe politik vendit, ku zgjedhjet mbahen vetëm sipas afatit të rregullt kushtetues. Dhe më kryesorja përfitimi më i madh politik i tij, është se ia doli që brenda pak ditësh kryedështimin e tij në politikën e jashtme, mos-anëtarësimin në Këshill të Evropës ta zhvendos plotësisht nga debati politik, thuajse edhe në këtë rast nuk kishte ndodhur asgjë.