Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përfitimet e mundshme të Kosovës nga doktrina e Presidentit Trump për “paqen nëpërmjet forcës”

Përfitimet e mundshme të Kosovës nga doktrina e Presidentit Trump për “paqen nëpërmjet forcës”

Shkruan: Afrim Kasolli

Me emërimin e stafit kryesor nga Donald Trump gradualisht po ravijëzohen konturat e politikës së Jashtme të kësaj administrate. Tashmë është bërë e ditur se emra si Mike Waltz, kolonel i pensionuar, do të shërbejë si këshilltar i sigurisë kombëtare, një post ky i rëndësishëm politik brenda Shtëpisë së Bardhë. Kurse, Marco Rubio, një senator republikan, është paraparë që të jetë Sekretar i Shtetit. Po ashtu një post i rëndësishëm është edhe ai i Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, post ky që i është besuar, John Ratcliffe.

Në këtë drejtim, prej se janë bërë publik emrat e këtyre zyrtarëve të sapo emëruar, mediat kanë vënë në pah disa nga pikëpamjet e tyre ideologjike dhe politike. Si dhe çka e konsiderojnë ata si prioritet kryesor strategjik për SHBA-të në një botë gjithnjë e më të trazuar. Një tregues ky se si do ta orientonin fokusin e Uashingtonit gjatë këtij mandati katër vjeçar.

Sipas asaj që është thënë për M.Waltz dhe M.Rubio, të dy këta janë më konvencional në politikën e jashtme sesa disa nga anëtarët izaolacionisë të mbështetëseve tjerë të Presidentit Trump. Po ashtu, vizioni i tyre plekset më atë të Presidentit për t’i detyruar vendet evropiane të NATO-së që të marrin mbi vete një barrë më të madhe financiare për Ukrainën. Robio ishte në mesin e disa senatorëve që kishin votuar kundër projektligjit për ndihmën e huaj, e cila përfshinte 60 miliardë shtesë për Ukrainën. Kjo shumë e “qonte ndihmën amerikane për këtë shtet në 175 miliardë dollarë sa krejt ndihma që Evropa ndau se bashku”. Kështu, sipas krye diplomatit në ardhje, shekulli 21 do të përcaktohet kryesisht nga ajo që do të ndodh në Indo-Paqësor. Prandaj, Kina pret me padurim që SHBA-të të zhyteshin në një konflikt të ri në Evropë, në mënyrë shteti aziatik, t’i kishte duart e lira për ta shtrirë hegjemoninë e tij në atë rajon”. Pra shihet qartë, se për eksponentët kryesorë të administratës amerikane, Kina konsiderohet kërcënimi kryesor strategjik i interesave amerikane.

Mirëpo, shtrohet pyetja çfarë do të jenë implikimet politike për Kosovën nga ky ndryshim në administratën amerikane? Sidomos, kur ende mungon paqja përfundimtare me Serbinë. Procesi i dialogut ndodhet në një status-quo. Dhe fati ndërkombëtar i shtetit në masë të madhe tashmë është peng i kësaj bllokade. Media të ndryshme kanë përmendur afërsinë e disa prej të sipër emëruarave me shqiptarët. Shqetësimin e tyre për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Si dhe rrezikun që e pozon politika e kaosit të instaluar nga Kremlini. U tha se Sekretari i ri është takuar gjatë karrierës së tij politike si senator si me Presidenten Osmani dhe kohë më parë me ish-Presidentin Thaci? Kurse nuk munguan as pamjet dhe fotografitë e Shefit të ri të CIA-së nëpër aktivitete të shqiptarëve në SHBA.

Nuk ka dyshim se kjo afërsi njerëzore dhe shoqërore mund të ketë ndikim pozitiv në këto relacione. Mirëpo, përtej kësaj lidhje “apolitike” konsolidimi dhe fati i Kosovës në masë të madhe do të varet dhe do të kushtëzohet nga aftësia e saj për të qenë kompitabile me parimet doktrinare të kësaj administrate për të promovuar “paqen nëpërmjet forcës” (Peace throug Strength). Është kjo paradigmë nëpërmjet së cilës Presidenti Trump, mëton ta garantojë paqen botërore, dhe jo nëpërmjet idealeve kozmopolitiane të paqes së përjetshme kantine Prandaj, është imperativ strategjik që politika shtetërore e Kosovës të navigojë në koherencë me parimet e saj, në mënyrë që të mos pozicionohet në anën e gabuar të historisë dhe të jetë në pajtim me faktorin determinues të proceseve planetare.

Kjo doktrinë siç kanë vënë në pah analistë të ndryshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare daton që nga koha Perandorisë Romake. Sentenca “Si vic pace, para bellum” nëse “dëshiron paqe, përgatitu për luftë” qëndron në thelb të saj. Ajo kishte gjetur shtrat edhe në traditën politikëbërse amerikane. Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Goerge Washington, kishte deklaruar se “ nëse ne dëshirojmë ta sigurojmë paqen, duhet të dihet se një nga instrumentet me fuqishme duhet të jetë gatishmëria jonë për luftë”. Ndërkohë, në kohën ë ish-Presidentit Ronald Reagan, u formulua në mënyrë më koherente kjo qasje me anë te shprehjes “paqe nëpërmjet forcës” (Peace throug Strength).

Në ktë kontekst, Presidenti Trump, e ka bërë të qartë se aplikimi i kësaj strategjie mbetet njëri nga instrumentet e tij kryesore në garantimin e paqes botërore. Është interesant se ai mbetet njëri nga kryetarët e pakët amerikanë të këtij shekulli që nuk është përfshirë në luftua të jashtme. Kurse në anën tjetër janë të njohura marrëveshjet që janë arritur nën drejtimin e tij. Nëpërmjet Akordeve Abrahamike ai e shtroi rrugën e pajtimit ndërmjet Izraelit dhe shteteve arabe në Lindje të Mesme, atë të normalizimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe falë menaxhimit të tij të suksesshëm u tejkaluan tensionet ndërmjet Egjiptit dhe shteteve të Gjirit Persik si dhe Katarit.

Kështu, me anë të kësaj doktrine, gjatë këtij mandati ai mëton ta shtojë presionin ndaj tri shteteve kryesore rivale të ShBA-ve, sikur se Kinës, Rusisë dhe Iranit, dhe të cilat me sjelljet e tyre janë shndërruar në kërcënim për sigurinë dhe paqen.

Sipas, Robert C. O’Brein në shkrimin “The Return of Peace Through Strength-Making the Case for Trump’s Foreign Policy” të botuar në Foreign Affairs, në linja të përgjithshme, ndonëse për ta analizuar kwtw metodë në detaje të veçanta kërkohet një hapësirë tjetër, administrata amerikane do të shtojë presionin mbi shtetet e sipë cekura në mënyrë që limitohen kapacitetet dhe ambiciet e tyre revizioniste gjeopolitike. Kështu, ndaj Kinës pritet imponimi i tarifave tregtare deri në 60 për qind. Mirëpo, jo vetëm kaq. Investimi në kapacitetet ushtarake të Indonezisë, Filipineve, Vietnamit si dhe përforcimi i atyre në Japoni dhe ishullin Tajvanit janë disa nga masat tjera.

Ndërkohë, për shkak të angazhimit amerikan në atë rajon, vendeve shteteve evropiane do t’u kërkohet t’i shtojnë shpenzimet e tyre buxhetore në mbështetje të Ukrainës, por në të njëjtën kohë Uashingtoni do t’i mbaj hapur kanalet diplomatike me Moskën për t’ia bërë të ditur se sa më pak e interesuar për paqe që është aq më shumë do të forcohet ushtria e Ukrainës. E njëjta gjë parashihet edhe në Lindje të Mesme, ku është bërë e ditur se nuk mund të arrihet paqja pa e kufizuar dhe shtuar deri në maksimum presionin mbi Iranin. Ngase është ky i fundit, që duke i furnizuar forcat proxy në rajon, sikur se Hezbollahun, grupin rebel Huthi në Jemen, milicit e armatosura në Irak, si dhe Hamasin që janë bërë kërcënim për paqen.

Pra siç shihet, kjo strategji e Presidentit Trump nuk mëton që të ushtrojë presion mbi vendet e vogla për ta pranuar më çdo kusht kapitullimin. Por përkundrazi, duke i forcuar këto kundwr atyre qw janw shndërruar në faktor të de stabilitetit global.

Në këtë kontekst, nëse Kosova e operon konform kësaj doktrine, ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë mund të kthehen në favor tw jashtëzakonshëm diplomatik, politik dhe shtetëror për të. Sepse Kosova nuk është rrezik për paqen në rajon. Përkundrazi, Serbia mbetet kërcënimi real , dhe atë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe shteteve tjera, si Bonsja, Mali i Zi etj. Nuk është e rastësishme që gjatë mandatit të parë të administratës Trump u lejua formimi i Ushtrisë së Kosovës. Ngase vetëm forcimi i saj është garanci për paqe rajonale. Dhe duke vepruar si duhet ka gjasa që këto kapacitete mbrojtëse të shtohen edhe me shumë gjatë këtij mandati.

Mirëpo, shteti i Kosovës nuk guxon të sillet me fodullëk ndaj nismave eventuale politike të SHBA-së për ndonjë proces të ri të mundshëm negociator me Serbinë me argumentin se tashmë ky proces po zhvillohet ne Bruksel. Pra vetëm duke e kombinuar këtë komunikim politik me Shtëpinë e Bardhë dhe njëkohësisht duke shmangur kualifikimin e mundshëm si palë që i kontribuon tensioneve rajonale mund të hapet një mundësi e munguar në zhbllokimin e konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë. /tvarbëria/

Themes by WordPress