Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përfaqësuesit spanjollë do të votojnë kundër pranimit të Kosovës në KiE

Përfaqësuesit spanjollë do të votojnë kundër pranimit të Kosovës në KiE

Përfaqësuesit e partive spanjolle, PSOE (Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle) dhe PP (Partia Popullore) në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të votojnë të martën e ardhshme kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Organi përbëhet nga 46 shtete. Pesë parlamentarët Socialistë dhe tre të tjerë nga PP-ja do të refuzojnë pranimin e Kosovës, sipas medias spanjolle “Europa Press”.

“Do të votojmë kundër sepse ne vazhdojmë të mbajmë të njëjtin kriter”, ka thënë një burim i PSOE-së për “Europa Press”, duke iu referuar qëndrimit të Spanjës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kjo parti konsideron se tani nuk është koha për hyrjen e Kosovës në këtë organizatë sepse do të mund të “zbulonte hapësira për konfrontim”. Në mesin e 46 shteteve anëtare të KiE-së, janë disa që nuk e njohin Kosovën, përfshirë edhe Spanjën.

As PP-ja, sipas “Europa Press”, nuk ka ndryshuar qëndrim për sa i përket pavarësisë së Kosovës. Burime brenda PP-së i kanë konfirmuar medias spanjolle se do të votojnë kundër sepse “nuk është precedent i mirë” që ky “territor” të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare e KiE-së do të mbajë debat të martën e ardhshme ku do të vendoset se a do të referohet vendimi për anëtarësimin e Kosovës te Komiteti i Ministrave. Ky është organi më i lartë i organizatës, që do të mblidhet në maj në Reykjavik. Ishte pikërisht ky institucion që i kërkoi PACE-s një vit më parë të japë opinion mbi këtë çështje.

Sipas “Europa Press”, kundërshtimi nga tetë përfaqësuesit spanjollë nuk duhet të paraqesë problem për Kosovën. Ka një shumicë të gjerë të vendeve që e njohin Kosovën dhe do të votojnë pro saj.

Problem nuk pritet të ketë as në Komitetin e Ministrave, ku nevojitet votimi nga dy të tretat – Rusia u përjashtua pas ivnadimit të Ukrainës – e që janë 31 vende

Burime diplomatike kanë sqaruar për “Europa Press” se edhe ministri i jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, do të votojë kundër.

Powered by WordPress