Shkruan: Afrim Kasolli- Rënia e qytetit Ukrainas të Avdikkjës, në duart e forcave Ruse para pak dite ka ngritur gjithnjë e më shumë dyshime mbi suksesin e mundshëm të Ukrainës në këtë luftë. Rimarrjen e këtij qyteti, presidenti rus, e quajti si një fitore të rëndësishme strategjike për forcat e tij ushtarake në terrenin e betejës. Paradoksalisht, ky zhvillim ndodhi në kohën kur në Mynih të Gjermanisë po mbahej Konferenca e Sigurisë. Më këtë rast, liderë, diplomatë dhe përfaqësues shtetesh të ndryshme u mblodhën në ketë event, ashtu siç takohen çdo vit, i cili ka për fokus temat e sigurisë globale. Ndërkohë, këtë vit Samitin e dominoi lufta e Ukrainës dhe ajo në Lindje të Mesme, ndërmjet Izraelit dhe grupit palestinez të Hamas-it në Rripin e Gazës, si dy nga vatrat më të nxehta gjeopolitike aktualisht në glob.
Kurse rrjedha e tillë e ngjarjeve po dëshmon se epërsia luftarake ka kaluar në favor të Moskës, pasi kundërofnesiva ukrainase ka dështuar ta thyente mbrojtjen ruse vitin e kaluar. Shto edhe faktin se Ukraina është duke u përballur me mungesë të municioneve, deri sa në Kongresin amerikan ka mbetur pezull paketa e re ndihmave ushtarake për Kievin. Në anën tjetër, sipas mediumit politico.eu, hulumtimet e opinionit publik, po tregojnë se gjithnjë e më shumë po shtohet skepticizmi për një përfundim të shpejt të këtij konflikti, prandaj qytetarët evropianë në masë të madhe janë duke përkrahur një “zgjidhje kompromisi”.
Mirëpo, se çfarë kahe të mëtutjeshme do të marrë ky konflikt në masë të madhe do të varet nga ndryshimi i qëndrimeve strategjike në qendrat tjera të politikbërjes perëndimore, sepse edhe ashtu ka qenë e ditur prej fillimit që rezistenca e Ukrainës, ndaj agresionit ushtarak të Kremlinit, nuk ka qenë e mundur pa këtë mbështetje. Ndërkohë, kjo ndihmë është arsyetuar mbi parimet doktrinës liberale dhe mbrojtjes së drejtës ndërkombëtare, sipas së cilës asnjë shtet nuk guxon ta cenojë integritetin territorial të tjetrit dhe kështu ta rrezikojë paqen. Prandaj, sipas shumë prej ithtarëve të kësaj pikëpamje mbrojtja dhe ndihma për Ukrainën sot, është mbrojtje dhe garantim i lirisë, paqes dhe integritetit territorial të shteteve tjera evropiane nesër. Sepse suksesi i Putinit në këtë luftë pushtuese nuk do të thotë që do t’i kënaq orekset e tij, por do t’i shtojë edhe më shumë ato që t’i gllabërojë edhe shtetet tjera që i konsideron si zona të interesit vital Rus. Në fund të fundit, që në konferencën e vitit 2007 të Mynihyit, ai e kishte quajtur katastrof gjeopolitike për Moskën shembjen e bllokut komunist, duke i bërë kështu të qarta synimet e tij revizioniste kundër rendit që doli fitimtar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Që nga ajo kohë, Cari i Rusisë ka intervenuar në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Kjo edhe është arsyeja që protagonistët e doktrinës liberale mbrojnë tezën se sundimtari i Kremlinit, duhet frenuar me çdo kusht sot, që paqja të jetë e mundur nesër.
Sidoqoftë, përkundër kësaj mënyre të të menduarit, ekziston edhe një tezë tjetër e cila ofron një perspektivë rrënjësisht të ndryshme të ndërtimit të raporteve me Rusinë. E njohur ndryshe si qasja realiste ajo pohon se armiqësimi i perëndimit dhe veçanërisht i SHBA-ve me Rusinë, nuk është në interes as të së parës.
Prandaj, kjo shkollë insiston për një relaksim të marrëdhënieve me Moskën, sepse sot rivali kryesor i Uashingtonit nuk është kjo e fundit, por Kina. Kështu, një nga emrat më te njohur të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, sikur se John Mearsheimer, ka kohë që mbron opinionin se konflikti i SHBA-ve me Rusinë vetëm sa do ta detyrojë këtë fundit që edhe më shume të bëhet satelit i Kinës dhe në këtë mënyrë të forcohet armiku kryesor i SHBA-ve, i cili edhe ashtu çdo ditë e më shumë është në kërkim të shtrirjes së hegjemonisë së saj në zonën e Azi- Paqësorit, duke ndikuar në shtimin e tensioneve në ngushticën e Tajvanit. Me këtë rast SHBA-të, kanë për detyrë ta pamundësojnë thellimin mëtutjeshëm të kësaj aleance, ashtu siç kishte vepruar administrata e ish Presidentin Richard Nixon, në vitin 1972, duke e çmontuar lidhjen sino-sovjetike. Qëndrim strategjik ky, i mbrojtur nga emri i njohur i diplomacisë amerikane i ndjeri Henry Kissinger, i cili ishte i brumosur me doktrinën e real-politikës së kancelarit gjerman, Otto von Bismarck, esenca e së cilës qëndron në mbajtjen sa me shumë larg armiqve të një shteti nga njëri-tjetri.
Se çfarë drejtimi do të marrin zhvillimet në të ardhmen do të varet edhe se cila nga këto dy doktrina do të mbrohet gjithnjë e më shumë nga qendrat e vendosjes politike, veçanërisht në Uashington. A do të kërkohet një marrëveshje me Putinin me qëllim largimin e tij nga Pekini, akord ky që nuk do të kalojë pa implikime tjera gjeopolitike? Apo këto dy shtete autokratike së bashku me satelitët e tyre do të afrohen edhe më shumë ndërmjet vete në një përpjekje për ta minuar rendin ndërkombëtar të drejtuar nga SHBA-të?
Por edhe ndaj këtij skenari dominon një opsion tjetër në Uashington. Sipas, studiuesit të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare Robert Kagan, SHBA-të janë përballur me sfida të tilla të ngjashme edhe në të kaluarën. Madje, hiç më larg se në vitet ’30 të shekullit të kaluar kur Gjermania dhe Japonia u mobilizuan kundër parametrave të atij rendi. Atë botë edhe ato shtete, pohon R.Kagan, nuk është se ishin aleate të mirëfillta, nuk i besonin aq shumë njëra-tjetrës, dhe nuk i koordinuan strategjitë e tyre të përbashkëta ashtu si duhet. Por, avancimi i Gjermanisë në Evropë ia lehtësonte punën Japonisë në Azi, kurse avancimi Japonisë në Azi, ia lehtësonte punën Gjermanisë në Evropë. Pra ato përfitonin nga njëra tjetra. Po ashtu, secila kalkulonin se deri sa Amerika ishte e angazhuar në njërin front, tjetra do t’i kishte duart e lira në terrenin e saj.
Me këtë rast, Uashingtonit nuk i kishte mbetur alternativë tjetër, pos të angazhohej në dy fronte në të njëjtën kohë, me rivalët e tij strategjikë. Dhe në fund, ajo metodë që u ndoq nga Franklin D. Roosevelt, u tregua e suksesshme. Sepse, SHBA-të dolën fitimtare në të dy drejtimet.
Rrjedhimisht, nga suksesi apo dështimi i këtyre doktrinave strategjike do të varet “paqja” dhe “lufta” e Perëndimit me Rusinë, si edhe e botës në përgjithësi.
/TV Arbëria