Aksioni i Policisë së Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme në veri, ka ngritur reagime të shumta, raporton TV Arbëria.
Elda Islami
Pas këtij aksioni, ku u konfiskuan 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë e monedha të tjera, nuk munguan reagimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian e Ambasada Britanike në Kosovë.
Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënyer pas këtij aksioni, duke e lidhur dhe me dialogun, ku sipas DASH-it aksioni nuk është bërë në kordinim me ndërkombëtarët dhe vetëm se i përshkallëzon tensionet.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”.
Reagimi i njëjtë ka qenë edhe nga Bashkimi Evropian, ku aksionin e quajnë të njëanshëm dhe të pakordinuar.
“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Njëjtë ka kritikuar dhe ambasada britanike ndaj Qeverisë së Kosovës, ku sipas tyre kjo mund të ndikojë në përshkallzimin e situatës në veri.
“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë. Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në Kosovë.
Edhe njëherë Qeveria Kurti po kritikohet ashpër për moskordinim dhe përshkallëzim të situatës, nga perëndimi apo aleatët kryesor të Kosovës.
Gjithashtu dhe KFOR-i tha se u njoftua për aksionin në veri, por nuk mori pjesë në të.
Mbi këtë çështje ka reaguar dhe emisari i posaçëm i ish-Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ai thotë se Kosova po largohet nga Perëndimi.
“Derisa ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që të largohet nga Rusia dhe Kina dhe t’i afrohet Perëndimit, Kosova po largohet nga Perëndimi”, shkruan Grenell.
Këto reagime janë vetëm disa nga reagimet e shumta ndaj Qeverisë Kurti për moskordinim me ndërkombëtarët.
Ndërkohë reagimet e njëjta kundrejt Kosovës janë edhe nga zyrtarët serbë.
Por këto reagime nuk janë për herë të parë kundrejt kësaj qeverisje, reagime të njëjta ka pasur edhe për ndalimin e dinarit në komunat me shumicë serbe.
Nga aksioni i mbrëmshëm nga policia janë mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica), dhe sipas policisë janë konfiskuar prova të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë. /TV Arbëria