Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët, kërkohet kontroll nga prindi

Përdorimi i rrjeteve sociale nga fëmijët, kërkohet kontroll nga prindi

Javëve të fundit në Kosovë disa nxënës në komuna të ndryshme kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një fenomeni të rrezikshëm nga rrjeti social “Tiktok”. Psikologë dhe drejtues të organizatave që merren me arsimin, vlerësojnë së është e nevojshme rritja e kontrollit të fëmijëve nga familja dhe stafi i shkollës mbi përdorimin e rrjeteve sociale.

Përdorimi i rrjeteve sociale nga të rinjtë çdo ditë është në rritje dhe kjo në shumë raste po paraqet rrezik për ta. Si pasojë e përdorimit të aplikacionit TikTok në mënyrë të pakontrolluar disa nxënës në disa shkolla janë lënduar dhe dhjetëra të tjerë kanë tentuar të vetë lëndohen. Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, i tha Radio Kosovës së familja dhe stafi i shkollës duhet të kenë kontroll me të madh mbi fëmijët për sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale.

“Është shumë e nevojshme dhe e rëndësishme që prindërit të vendosin kontroll ndaj fëmijëve të tyre sidomos në përdorimin e rrjeteve sociale. Angazhimi i mësuesve, psikologëve dhe prindërve bën të mundur që fëmijët të kontrollohen dhe të shikojnë se çfarë po ndodh në rrjetet sociale dhe se cilët janë shkaktarët që po i dërgojnë fëmijë drejt akteve vetëlënduese”, tha Havolli.

Se familjet duhet të kenë më shumë kontroll mbi fëmijët e tyre për përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos TikTok-ut, e thonë njohës të fushës së arsimit. Drejtori i organizatës “Teach For Kosova”, Egzon Gashi, tha për Radio Kosovën së njëra ndër arsyet pse po ndodhin këto raste është mungesa e komunikimit të duhur të fëmijëve me familjen. Ai shtoi se mësimdhënësit dhe stafi mbështetës duhet të identifikojnë rastet e tilla dhe t’i adresojnë me kohë.

“Komunikimi me familjen nuk është i mirëfilltë. Unë besoj që parandalohen disa probleme nëse vetëm është komunikimi me i shëndetshëm dhe me i shpeshtë. Mendoj që përtej pedagogut, psikologut dhe koordinatorit të cilësisë në shkolla, duhet edhe mësimdhënësit të arrijnë të identifikojnë këto raste që po ndodhin te të rinjtë, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla. Dhe kur i shohin duhet t’i dinë organet kompetente ku t`i raportojnë, në mënyrë që të ndihmohen fëmijët”, tha Gashi.

Në lidhje me këtë situatë, Ministria e Arsimit përmes një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, ka bërë të ditur së Inspektorati i Arsimit ka kërkuar nga të gjitha shkollat informata për ta vlerësuar situatën me këto raste dhe për të rritur vëmendjen në zbatim të legjislacionit në fuqi për përdorim të pajisje teknologjike/internetit. Sipas ministrisë, veprimi bie në përgjegjësi të komunave dhe shkollave, ndërsa MASHT, si hartues i politikave, ka hartuar në vazhdimësi politika në këtë fushë tematike./rtk

Powered by WordPress