Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së sotme mediat raportuan se shpenzimet qeveritare për udhëtime zyrtare si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës kanë shënuar rritje të hatashme gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Kështu, prej vitit 2021 deri në vitin 2024 shuma e këtyre shpenzimeve ka kapur shifrën e më shumë se 31 milionë eurove. Duke u bazuar në raportin e buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave, shpenzimet e udhëtimeve vetëm për gjashtë mujorin e parë të vitit 2024 ato kanë shkuar në 5.25 milionë euro, apo më shumë se 12 përqind se në periudhën e vitit të kaluar.
Mirëpo shtrohet pyetja se në interes të kujt janë bërë këto udhëtime? Çfarë ka përfituar shteti i Kosovës më shumë ndërkombëtarisht, se sa në periudhën paraprake. Sepse paradoksalisht me rritjen e shpenzimeve në akt ka ndodhur edhe izolimi diplomatik i shteti të Kosovës. Atëherë për çfarë motive janë përdorur taksat e qytetarëve të Kosovës, nëse jo në funksion të avancimit të interesave shtetërore.
Kosova, gjatë këtij mandati qeverisës nuk ia ka dalur ta sigurojë asnjë njohje të re. Po ashtu, asnjë anëtarësim në organizatat multilaterale nuk ka ndodhur. Për arsyeje që dihet nga të gjithë ne vendi ynë e humbi edhe shansën që të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, si organizata më e vjetër në kontinent në mbrojte të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Si sukses në këtë drejtim është përmendur avancimi i pozitës së Kosovës në Komisionin e Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga ai vëzhgues në atë asociuar. Dhe jo diçka më shumë . Asnjë makro-investim i huaj nuk është vërejtur
Në ndërkohë, aktivitetin e Kryeministrit Kurti, përjashto vizitat zyrtare në Bruksel në funksion të dialogut Kosovë -Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në masë të madhe e ka karakterizuar pjesëmarrja në proceset e brendshme elektorale në disa shtete evropiane duke i mbështetur partitë simotra ideologjike. Apo pjesëmarrja në ndonjë event sikur simpoziumi SYMI, që mbahet çdo vit në Greqi, ku eksponentë të së majtës takohen për të diskutuar fatin e njerëzimit. Mirëpo, aktivitete të tilla janë vetë në funksion të agjendës ideologjike të partisë në pushtet dhe jo të shtetit të Kosovë s.
Në anë n tjetër raportet me partnerin kryesor të Kosovës në procesin e shtet-ndërtimit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodhen në nivelin më të ultë të mundshëm . Kurse siç shkruante pra pak dite, mediumi Evropa e Lirë shumica e parave të shtetit të Kosovës për lobim në Uashington kishin shkuar nëpër restorante të ndryshme në Prishtinë, edhe pse në kontratën e lobimit, thuhet se kompania e kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të ofronte këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së “brenda Shteteve të Bashkuara”.
Në këtë kontekst, dështimi diplomatik i Kosovës në të njëjtën kohë kur janë shtuar shpenzimet e përfaqësimit ndërkombëtar, tregon se pushteti aktual paratë e taksapagueseve të Kosovës më shumë i ka përdorur për qëllime ideologjike, apo edhe qejfe personale, sesa në funksion të interesave shtetërore./TvArberia/