Shkruan: Afrim Kasolli
Kanë kaluar më shumë se dy javë që kur kryeministri Kurti e vendosi si njëri nga kushtet për vazhdimin e dialogut me Serbinë, dorëzimin e Milan Radoiçiqin, si njëri nga organizatorët kryesorë të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtator në territorin e Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Ky akt siç dihet kishte shënuar një dhunim brutal të vet Marrëveshjes bazike të Brukselit për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht të nenit 3 të saj, ku thuhet se “në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës”.
Mirëpo, siç duket veçanërisht kjo kërkesë e Kurtit nuk është duke gjetur përkrahje tek diplomatët ndërkombëtarë. Në këtë rast veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, ndonëse e kanë dënuar njëzëri dhe pa ekuivoke sulmin e Milan Radoiciqit në territorin Kosovës, megjithatë, përfaqësuesit e këtyre shteteve kanë hezituar që të solidarizohen më këtë kërkesë të Kurtit për dorëzimin e tij pranë autoriteteve të shtetit të Kosovës.
Kështu, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier në një intervistë në Rubikon, e kishte përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se “Serbia duhet të mbajë përgjegjës ata që ishin të përfshirë në sulmin e kryer nga paraushtarakët etnikë serbë në Banjska. Dhe se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për zotin Radoiçiq është i njohur. Ai është nën sanksionet e qeverisë amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”. Se drejtuesi i grupit paramilitar terrorist Milan Radoeciq, duhet të jap llogari për sulmin e 24 shtatorit u konfirmua edhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Mirëpo, për diplomatin gjerman “qartazi është shumë jo-real ekstradimi i tij, por qeveria ime e ka bërë të qartë, pasi ai është në Serbi, ai duhet të japë llogari aty”. Pra në një farë mënyrë thuajse njëzëri këta diplomatë janë që e Milan Radoiciqit të ndiqet penalisht, gjykohet dhe dënohet në Serbi.
Ka mbetur nju “enigmë sfinksi” ky hezitim i shteteve kryesore të Quint-it, për të mos u dënuar krimineli ne vendin e krimit. Sidomos kur dihet fakti se janë një serë raportesh profesionale të organizatave ndërkombëtare që kanë në vënë në pah politizimin ekstrem të sistemit të drejtësisë në Serbi, nga partia në pushtet. Prandaj shtrohet pyetja a mund të pritet një gjykim i drejtë për këtë proces?
Kurse në anën tjetër, pikërisht presioni diplomatik ndërkombëtar mbi Serbinë për ta dorëzuar atë do të dëshmonte se sa më të vërtetë këto shtete janë të përkushtuara për zbatimin e duhur të marrëveshjeve të artisura ndërmjet dy vendeve në Bruksel.
Siç dihet, Kosova dhe Serbia, janë pajtuar ne vitin 2013 për atë që njihet si marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike falas, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dhe në bazë të kësaj marrëveshje të dy vendet mund të shkëmbejnë kërkesa gjyqësore përmes përfaqësuesve të BE-së. Ndërkohë, në këtë rast kërkesa iniciohet nga prokuroria e Kosovës, miratohet nga gjykata dhe dërgohet në Ministrinë e Drejtësisë, e cila e përcjell te Ministria e Drejtësisë e Serbisë (Natyrisht, këtu duhet cekur se një kërkesë e tillë nuk është bërë ende nga sistemi juridik në Kosovë).
Ne këtë kontekst, shihet qartë se baza juridike formale për ekstradimin e Milan Radoiçiqin ekziston. Dhe ajo është arritur pikërisht falë procesit të dialogut në Bruksel. Mirëpo, që të zbatohet ky obligim është qartë se nevojitet një presion mbi Beogradin. E këtë presion mund ta bëjnë ata që janë garantues të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. /TV Arbëria