Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Përçarja e Aleancës, Sela thotë se me 18 shkurt e shkarkojnë Taravarin pasi iu bashkua opozitës

Përçarja e Aleancës, Sela thotë se me 18 shkurt e shkarkojnë Taravarin pasi iu bashkua opozitës

Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët me në krye Ziadin Selën ka ngritur iniciativë për shkarkimin e kryetarit të ASh-së Arben Taravari. Me 18 shkurt do të thirret kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, me të cilin do të marrë formë shkarkimi i kryetarit, tha Ziadin Sela, kryetar i Kuvendit Qendror të Aleancës.

Një nga dy pikat e rendit të ditës të Kuvendit të sotëm ishte që t’i kërkohet kryetarit të partisë, Arben Taravarit, raport rreth zhvillimeve politike lidhur me zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, por për shkak të mungesës së tij dhe iniciativës për shkarkim, Sela tha se kjo pikë u zëvendësua me diskutim për zhvillimet e fundit në parti.

“Pas një debati të gjatë dhe me votë nga ana e kuvendit nga prezenca prej 108 anëtareve të kuvendit, 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim u mor i iniciativa për shkarkimin e kryetarit të partisë. Natyrisht një vendim tjetër është për thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm, i cili u thirr më datë 18 dhe duhet të marrë formë shkarkimi i kryetarit. Ndërsa për pikën tjetër, për atë se si do të shkojë në zgjedhje ASh-ja, ai që bën propozim është kryetari i partisë. Kjo pikë u vendos që nuk mund të diskutohet pasi u mor iniciativë për shkarkimin e kryetarit të partisë”, tha Sela.

Ai tha se sa i përket garës në zgjedhje, ai tha se janë të mendimit që të shkojnë vetë.

Me 8 shkurt, nga ana tjetër u mbajt Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë nga lideri i partisë, Arben Taravari, i cili i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”. Megjithatë, Kuvendi i ka vendosur kusht Taravarit që të vazhdojë rrugën evropiane dhe të mos bëjë koalicon me forca anti-perëndimore.

Kujtojmë se Kuvendi mbrëmë pas mesnate me 62 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” i shkarkoi ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Në votim nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare. Të hënën do të bëhet zgjedhja e ministrave të rinj.

Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit sot duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

 

Themes by WordPress