Përgatiti: Afrim Kasolli – Që kur kishte filluar procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ishte thënë vazhdimisht se nga normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve do të varet edhe nga agjenda integruese evropiane e dy vendeve, krahas kritereve tjera që duhet të plotësojnë si Prishtina ashtu edhe Beogradi.
Një obligim i tillë lidhet edhe me detyrimin për ta zbatuar Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe atë të Ohrit që derivojnë nga plani franko-gjerman. Për më shumë edhe pse asnjëra nga ato nuk ishte nënshkruar, Bashkimi Evropian i ishte vënë punës për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, me “anë të përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim”.
Po ashtu, sipas REL edhe pse nuk ishte përmendur fjala “sanksione“, ato janë përfshirë në porosinë se mosimplementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian, sepse si Kosova, edhe Serbia janë përfituese të mëdha të ndihmave nga fondet e Bashkimit Evropian, nëpërmjet instrumenteve të paraanëtarsimit.
Ndërkohë, edhe kur ishte miratuar nga Komisioni Evropian plani për rritjen ekonomike të rajonit, me anë të cilit parashihet një paketë e madhe financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, për çka edhe u mbajt sot kjo konferencë në Shkup, si Kosovës ashtu edhe Serbisë u është bërë e qartë nuk do të mund të përfitojnë nga plani i Komisionit Evropian për rritjen ekonomike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre. Pra ishte ky një kriter shtesë që Komisioni Evropian ua ka vendosur të dyja vendeve.
Kurse para pak dite, mediumi DW shkruante se në mesin e kushteve detyruese për Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pritet të “përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve që Serbia i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë është duke punuar Komisioni Evropian, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve në kapitullin e 35 me Serbinë për anëtarësim”.
Mirëpo sot gjatë fjalimit e tij në konfernencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, kryeministri Kurti, tregoi se është kundër kësaj metodologjie. Ai pohoi se duhet “të ndahet procesi i anëtarësimit në BE, prej normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
E di që në thelb BE-ja e ka fqinjësinë, por edhe ata duhet të na kuptojnë që nuk është kollaj të normalizojmë raportet me dikënd që nuk e ka as normalizimin e as demokratizimin shumë për qejf.
Sa i përket dialogut më tutje, kjo zhvillohet në relacionin midis kryenegociatorit Besnik Bislimi, dhe lehtësuesit Lajçak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të caktojmë hapat e mëtutjeshëm. Për takimin e liderëve nuk ka diçka të re, për çka ftesa na vjen nga Borrell”.
Por shtrohet pyetja që nëse kërkesohet të ndahet procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve nga agjenda integruese evropiane a mund t’i hapet dera Serbisë që përshpejtojë këtë proces, pavarësisht raporteve me Kosovën. Dhe kështu në mënyrë implicite të suspendohen obligimet që i ka Beogradi sa i përket kapitullit 35 për anëtarësim?
/TV Arbëria