Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përçarja amerikano-evropiane për fatin e luftës në Ukrainë

Përçarja amerikano-evropiane për fatin e luftës në Ukrainë

Shkruan: Afrim Kasolli

Me të marr detyrën si shefe e Politikës së Jashtme të Sigurisë, Kaja Kallas, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, e vizituan kryeqytetin e Ukrainës, Kievin. Me këtë rast, ajo deklaroi se “Bashkimi Evropian dëshiron që Ukraina ta fitojë këtë luftë”. Ky akt solidariteti me shtetin që po përballet me sulmin e pa precedent të Moskës dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare ka qenë i pritshëm. Sidomos, kur marrim parasysh që ajo vjen nga shteti i Estonisë, një vend që kishte vuajtur  kohë të gjatë nga politikat imperialiste të Kremlinit.

Thirrja për të qëndruar në krah të Ukrainës deri në fitore përfundimtare kundër Putinit, nuk ishte kërkesa që u adresua vetëm nga Kaja Kallas. Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm e ka mbrojtur edhe shefi i inteligjencës britanike. Drejtuesi i MI6, Richard Moore, deklaroi se  “braktisja e Ukrainës do ta rrezikonte sigurinë britanike, evropiane dhe amerikane me një kosto pafundësisht më të lartë. Sipas tij nëse “Putinit i mundësohet që të ketë sukses në shndërrimin e Ukrainës në një shtet vasal, ai nuk do të ndalet atje”. R. Moore, ndër të tjera ka pohuar se ne e dimë “koston e mbështetjes aktuale për Ukrainën. Mirëpo kostoja e mosmbështetjes do të ishte pafundësisht më e lartë.  Triumfi i Putinit në terrenin e luftës do të ndikonte që Kina t’i peshojë pasojat, Koreja e Veriut të bëhej më fuqishme dhe Irani më i rrezikshëm”.

Mirëpo, paralelisht me këto dëshira evropiane, presidenti i sapo zgjedhur Donald Trump, e ka emëruar dhe të dërguarin e posaçëm për konfliktin Rusi-Ukrainë Gjeneralin Keith Kellogg në kërkim të një zgjidhje politike. Ky i fundit, kohë më parë kishte qenë tejet kritik për vonesat e administratës Biden për ta furnizuar me armë të mjaftueshme ushtrinë ukrainase. Mirëpo, në ndërkohë ai e ka elaboruar një plan të ri të paqes. Në linja të përgjithshme si zgjidhje imediate sipas këtij skenari mbetet ngrirja e linjave të konfliktit, ku Rusia e ruan kontrollin e territoreve të pushtuara, si dhe pezullohen planet e Kievit për anëtarësim në NATO. Ndër të tjera këto vija të frontit do të ngrihen përmes një armëpushimi, ku do të vendoset një zonë e demilitarizuar. Rusisë do t’i lehtësohen sanksionet nëse bie dakord me këtë armëpushim, kurse suspendim i plotë i tyre do të mund të ndodhë vetëm atëherë kur të nënshkruhet një marrëveshje paqeje me të cilën është dakord edhe Ukraina, raporton CNN. Në anën tjetër do të imponohet një taksë shtesë mbi eksportet energjetike të Rusisë me qëllim rindërtimin e Ukrainës. Kurse, kjo duhet ta kërkojë rikthimin e territoreve të humbura vetëm me mjete diplomatike. Qëndrim mospajtues për shpenzime të reja financiare për luftën në Ukrainë kanë edhe Mile Waltz, këshilltari i ri sigurisë kombëtare si dhe i nominuari për sekretar të ri të shtetit, Marco Rubio. Ky i fundit së bashku me disa senatorë tjerë kishin votuar kundër projektligjit për ndihmën e huaj, e cila përfshinte 60 miliardë shtesë për Ukrainën. Kjo shumë e “qonte ndihmën amerikane për këtë shtet në 175 miliardë dollarë sa krejt ndihma që Evropa ndau se bashku”. Kështu, sipas kryediplomatit në ardhje, shekulli 21 do të përcaktohet kryesisht nga ajo që do të ndodh në Indo-Paqësor. Prandaj, Kina pret me padurim që SHBA-të të zhyteshin në një konflikt të ri në Evropë, në mënyrë shteti aziatik, t’i kishte duart e lira për ta shtrirë hegjemoninë e tij në atë rajon”.

Në anën tjetër edhe presidenti i Ukrainës Vlodymyr Zelensky, u shpreh se nuk është kategorisht kundër këtij skenarit amerikan të armëpushimit. Ai deklaroi se mund të pajtohet që Rusia t’i mbajë territoret e pushuara, por me kusht që të mos pengohet anëtarësimi i vendit të tij në NATO. Një dëshmi kjo që edhe Ukraina po lodhet dita ditës nga kjo luftë rraskapitëse. Madje, para pak dite se mediumi Associated Press, shkruante se dezertimi është duke është duke e boshatisur Ushtrinë ukrainase, e cila ka nevojë dëshpëruese për ushtarë, si dhe duke i prishur planet e saj për fushëbetejë, në një kohë jetike për luftën e saj me Rusinë. Humbje këto që mund të vënë Kivenin në një pozitë të pavolitshme në bisedimet për një armëpushim në të ardhmen.

Këto qëndrime të kundërta ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, në dallim koha e administratës Biden, tregojnë se tashme këto dy entitete trans-atlantike, janë duke përdoruar gjuhë të ndryshme sa i përket fatit të luftës në Ukrainë. E para duke tentuar të fokusohet sa më shumë në Lindje të Largët, kurse e dyta duke shpresuar që ta rrëzojë Rusinë në Ukrainë, por që mjerisht këtë nuk mund ta bëjë pa mbështetjen e së parës. Sepse shumë nga krizat ndërkombëtaret , duke filluar nga kjo që po zhvillohet në terrenin evropian, apo në Lindje të Mesme, BE-ja ka dëshmuar se është një aktor periferik gjeopolitik. Madje Brukseli ka shfaqur impotencë diplomatike për ta finalizuar edhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkundër faktit se ka më shumë se një dekadë që e lehtëson dialogun ndërmjet dy vendeve. /TV Arbëria

Themes by WordPress