Nga Agron Hoti
Pavarësisht faktit që BE s’investon qëllimshëm në hapësira shqiptare dhe Ballkan për të na e marrë kështu rininë e gatshme për të cilën aq shumë ka nevojë ajo si rezultat i rënies rapide të lindjeve dhe plakjes së popullsisë atje, Shqipëria dhe tërë shqiptarët, duke qenë aleatë të SHBA-së, integrimin në BE-në e themeluar, mirëmbajtur dhe ruajtur nga SHBA e kanë megjithatë të pa alternativë ashtu siç e kanë integrimin edhe në NATO dhe në të gjithë mekanizmat tjerë perëndimorë po ashtu të themeluar, mirëmbajtur dhe ruajtur nga SHBA. Kosova po harron që pa marrë dorë në Uashington s’do t’ua shohë kurrë dyert e Këshillit të Evropës, BE-së, NATO-s dhe pse jo OKB-së.
Hapja e negociatave për Shqipërinë sot në Luksemburg nga Këshilli i Bashkimit Evropian për Grupin e Parë (Cluster 1) të Kapitujve të Legjislacionit (Acquis) të BE-së përbën hap historik për të ardhmen evropiane të shtetit shqiptar. Këta kapituj që mbulojnë prokurimin publik; statistikat; gjyqësorin dhe të drejtat themelore; drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; dhe kontrollin financiar, do të jenë të parët që janë hapur dhe të fundit që do të mbyllen për t’i hapur kështu rrugë krejtësisht në fund Traktatit të Anëtarësimit në BE ku Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota, pra e barabartë mes të barabartëve. Ndërkohë që deri në anëtarësim ka ende shumë punë për të bërë.
Por, mos të harrojmë kurrë se po të mos ishte kërcënuar Evropa nga agresioni rus në Ukrainë, shteti shqiptar do të vazhdonte të sorrollatej rrugëve të Brukselit të kontrolluar nga Moska gjithnjë e më shumë deri në shkurt 2022. Dhe ishte SHBA ajo që detyroi evropianët të paguanin më shumë për ruajtjen e Evropës në Ukrainë për ta frenuar kështu Rusinë dhe në këtë kuadër u përshpejtuan hapat për integrimin e Shqipërisë në BE ashtu sikundër që u fuqizua edhe vetë roli i shtetit shqiptar në rajon dhe Evropë si kurrë më parë në histori.
Prandaj, e gëzofshim vazhdimin e integrimit të Shqipërisë në struktura perëndimore!