Në mungesë të 80 votave, Kuvendi i Kosovës është detyruar t’i presë disa deputetë tjerë. Kjo për shkak se të enjten është paraparë votimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.
Por pritja e gjatë i shkaktoi nervozë shefit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi. Ai kërkoi që seanca të fillojë dhe të mos i presë deputetët.
“U bë 1 ore e më shumë që jemi duke prit është e pa drejtë ndaj deputetëve që me shiku se kush voton. Demokracia është se kush është në sall duhet me votu, ne jemi mbi 80 vetë në sall kemi kuorum me votu, e vetmja zgjidhje është që ta largoni nga rendi i ditës për një seancë tjetër. Nuk është mirë që të shantazhohen kështu publikisht. Është jokushtetuese, jo ligjore”, tha ai.
Ndërsa shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i konsideroi të rëndësishme këto marrëveshje pasi përfitojnë komunat që kanë qenë të vërshurara.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të kalojnë këto marrëveshje. E para sepse prek qytetarët e territoreve që janë prekur nga vërshimet. Po ashtu edhe dy të tjerat janë jetike që të kalojnë”, tha ai.
/TV Arbëria